Mbahen zgjedhjet lokale në Francë, test për të ardhmen politike të Macron

Mbahen zgjedhjet lokale në Francë, test për të ardhmen politike të Macron

13:36, 28/06/2020
A+ Aa A-

Francezët i janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar kryebashkiakët e tyre për gjashtë vitet e ardhshme. Raundi i balotazhit u shty në muajin mars për shkak të shpalljes së emergjencës nga pandemia e koronavirusit. Partia e presidentit Makron rrezikon të ardhmen politike.

Në Francë po mbahen balotazhet për bashkitë dhe këshillat bashkiakë të vendit pas më shumë se tre muajve shtyrje për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Procesi nisi të dielën mes më shumë se 157 mijë kandidatëve në afro 5 mijë qytete dhe komuna të cilat në raundin e parë nuk nxorën asnjë fitues me mbi 50 për qind të votës.

Zgjedhjet shihen si test edhe për të ardhmen politike të presidentit Emanuel Makron dy vite nga mbarimi i mandatit dhe zgjedhjet e reja presidenciale.

Lëvizja e jelekverdhëve, grevat e ndryshme, protestat kundër reformës së pensioneve dhe reagimi ndaj krizës epidemike të koronavirusit mendohet se kanë dëmtuar shumë prej kandidatëve të tij, duke u mohuar atyre raundin e dytë në qytetet më të mëdha.

Vetë kryeministri francez, Eduard Filip, po kandidon për një nga bashkitë veriore të Normandisë, dhe në varësi të rezultatit rrezikon edhe riformatimin e kabinetit aktual qeverisës, transmeton oranews.

Ndërkohë, kryebashkiakja socialiste e Parisit, An Idalgo, e hodhi votën në një nga vendvotimet e kryeqytetit me synimin për ta rifituar bashkinë kryesore për herë të dytë.

Raundi i parë i votimeve lokale në Francë u mbajt më 15 mars dhe teksa vendi përgatitej një javë më pas për garën përfundimtare, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme prej kovidit.

Gjatë ditës së diel, të 872 qendrat e votimit në kryeqytet u pajisën me mjete mbrojtëse si maskat dhe xheli dezinfektues për votuesit.

Frika e bartjes së infeksionit të koronavirusit parashikohet të ndikojë në pjesëmarrjen më të ulët, por disa nga qytetarët në grupmoshat më të rrezikuara shprehin të kundërtën.

“Nuk e di pse u shty raudi i dytë i zgjedhjeve kur edhe gjatë të parit ne ishim në izolim. Njerëzit nuk janë më aq të shqetësuar. Shumë mund të mos votojnë por kjo vjen edhe prej pushimeve; shumë njerëz i shoh me valixhe nëpër rrugë.”

“Do tregohemi të kujdesshëm gjatë votimit. Kemi stilolapsin tonë, maskën, xhelin. Shumë veta nuk kanë për të shkuar njëherazi në votim, gjithsesi.”

Fushata elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve vendore në Francë u realizua këto javë në distancë apo me telefon, pasi kandidatët për bashkitë kryesore nuk u lejuan të takoheshin me simpatizantët, të shpërndanin fletëpalosje apo t’i vizitonin mbështetësit e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco