Shtypja e Ujgurëve/ Trump planifikon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, përgjegjës për keqtrajtimin e tyre

Shtypja e Ujgurëve/ Trump planifikon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, përgjegjës për keqtrajtimin e tyre

19:41, 08/06/2020
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të nënshkruajë legjislacionin që kërkon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, përgjegjës për shtypjen e myslimanëve Ujgur,tha të hënën një burim i njohur me çështjen, pa ofruar një kornizë kohore për nënshkrimin.

Projekt-ligji, i cili kaloi Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA dhe Senatin me mbështetje dypartiake muajin e kaluar, bën thirrje për sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për shtypjen e Ujgurëve dhe grupeve të tjera muslimane në provincën Xinjiang të Kinës, ku Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më shumë se një milion muslimanë kanë qenë të ndaluar në kampet kineze, raporton Reuters.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por Kina mohon keqtrajtimin e Ujgurëve dhe thotë se kampet ofrojnë aftësim profesional.

Pekini ka dënuar edhe më parë lëvizjet amerikane për të miratuar legjislacionin në mbështetje të Ujgurëve, si sulme dashakeqe dhe një ndërhyrje serioze në punët e saj të brendshme, që do të ndikonin në bashkëpunimin dypalësh.

Progresi i projekt-ligjit vjen mes tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit dhe një përpjekje e fundit për të frenuar liritë e Hong Kongut përmes një ligji të ri të sigurisë kombëtare kineze.

Kina mohon keqtrajtimin e Ujgurëve dhe shpërthimin e COVID-19 dhe ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë ndërhyrjen në Hong Kong dhe punët e brendshme.

Legjislacioni mbi Ujgurët, i propozuar nga senatori republikan, Marco Rubio, veçon sekretarin e Partisë Komuniste të Xinjiang, Chen Quanguo, një anëtar i Byrosë Politike të fuqishme të Kinës, si përgjegjës për "shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut" ndaj tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco