Në rajonin e Gjirit, mosmarrëveshjet politike mbizotërojnë mbi nevojat e njerëzve

Në rajonin e Gjirit, mosmarrëveshjet politike mbizotërojnë mbi nevojat e njerëzve

17:20, 08/06/2020
A+ Aa A-

Nga: Benjamin Barthe-Le Monde

Që nga 5 qershori 2017, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti e kanë vendosur Katarin, të cilin e akuzojnë për vetëkënaqësi në lidhje me islamistët dhe Teheranin, nën një embargo diplomatike dhe ekonomike. Me rastin e kalimit të tre viteve nga kjo krizë, Mohamed Bin AbdulRahman Al Thani, Ministër i Punëve të Jashtme të Katarit, rishikon pasojat e krizës në kohën kur vendet e Gjirit përballen me pandeminë e Covid -19.

Vjeshtën e kaluar, pamë disa shenja relaksimi midis aktorëve të krizës së Gjirit. Pastaj kjo qasje u ndal. Ku jemi sot?

Fatkeqësisht, përpjekjet e vitit të kaluar edhe pse patën një përparim, nuk funksionuan. Duket se pala tjetër nuk ka dashur të përfshihet në negociata të vërteta. Sidoqoftë, përpjekjet e ndërmjetësimit nga Emiri i Kuvajtit dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë. Ne mbetemi të gatshëm të diskutojmë për një zgjidhje afatgjatë, për aq kohë sa ajo nuk cënon sovranitetin tonë dhe nuk shkel ligjin ndërkombëtar. Por duhet kuptuar që kjo krizë u fabrikua nga e para, me një fushatë përbaltje dhe propagande kundër Katarit, pa patur asnjë justifikim, dhe që vazhdon ende sot e kësaj dite. Nëse nuk ka pasur ndonjë përparim në negociata, kjo është për shkak se aspekti i fabrikimit të krizës nuk është njohur kurrë.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të zgjidhur aspektin ajror të krizës duke nxitur Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që të rihapin qiellin e tyre për avionët Qatar Airways. Sa i vendosur është Uashingtoni?

Ende nuk është arritur asnjë përparim. Por ne mbetemi në kontakt të ngushtë me amerikanët. Kjo histori ka qenë e paligjshme që në fillim. Çështja jonë është para Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe shpresojmë të rikuperojmë hapësirën ajrore.

Në debatin mbi botën e mëpasshme, cili është pozicioni i Katarit? Çfarë duhet të ndryshohet në mënyrë që një krizë shëndetësore si ajo që po kalojmë të mos përsëritet më?

Asnjë vend nuk mund të ndihet më i sigurt, kjo është risia. Epidemitë e mëparshme si ato të SARS-it, nuk janë përhapur në rajone të tjera veç atyre ku janë shfaqur. Por pandemia e Covid-19 na ka prekur të gjithëve ne. Prandaj, mësimi i parë nga kjo krizë është se çdo vend në botë ka nevojë për një sistem shëndetësor elastik që mund t'a përballojë. Së dyti, ekziston nevoja për të forcuar multilateralizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, për të siguruar që shtetet të kenë një platformë të unifikuar mbi shkëmbimin e pikëpamjeve dhe përvojës. Së fundmi, ne duhet të garantojmë mbrojtjen e zinxhirëve të furnizimit, në mënyrë që të plotësojmë nevojat tona të brendshme, por edhe nevojat e vendeve të tjera.

A mundet që Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) të kapërcejë ndarjet e anëtarëve të tij për t'i ndihmuar ata të përballen me krizën ekonomike post-Covid?

Bllokada ndaj Katarit ka dëmtuar të gjitha vendet e GCC-së. Ne shpresuam se në këtë periudhë të krizës globale, urtësia do të mbizotëronte dhe sfidat me të cilat përballeshim do të ringjallnin bashkëpunimin rajonal. Për fat të keq, GCC-ja mbetet e paralizuar. Gjatë pandemisë, një mbledhje e ministrave të shëndetësisë të vendeve anëtare u mbajt në Rijad. Fatkeqësisht, ministri ynë nuk u lejua të fluturonte për në Riad deri kur mbaroi mbledhja. Kjo tregon mungesë serioziteti për të adresuar krizën. Mosmarrëveshjet politike mbizotërojnë mbi nevojat e popujve tanë. Mentaliteti i bllokadës është më i fortë.

Me synimin e organizimit të Kupës së Botës së Futbollit 2022 që do të mbahet në territorin e tij, Katari ka premtuar në mënyrë të përsëritur heqjen e Kafala (sistemi që i kufizon punëtorët migrantë në rajonin e Gjirit me punëdhënësit e tyre). Por pavarësisht progresit, revokimi efektiv i këtij sistemi është ende pezull...

Kemi bërë shumë përparim në fushën e të drejtave të punëtorëve. Ne po e heqim plotësisht sistemin e Kafalës.

Punëtorët nuk kanë më nevojë të marrin një vizë daljeje për të udhëtuar. Por ende kërkohet një çertifikatë mos-kundërshtimi, dhe pa këtë dokument migranti nuk mund të ndryshojë lirshëm punën…

Migrantët që duan të ndryshojnë vendet e punës dhe të cilët refuzohen në mënyrë të paligjshme nga punëdhënësi i tyre mund të paraqiten pranë zyrës së kërkesave të punës. Heqja e çertifikatës së mos-kundërshtimit duhet të bëhet së shpejti dhe po së shpejti do të përcaktohet edhe paga minimale.

Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga fiaskoja e Khalifa Haftar, këtij marshalli dizident Libian, i cili sapo ka humbur betejën e Tripolit kundër forcave të Qeverisë Libiane të Akordit Kombëtar e kryesuar nga Faiz Sarraxh?

Që nga marrëveshja e Skhirat në 2015, ne kemi thënë se konflikti në Libi duhet të zgjidhet nëpërmjet një proces politik dhe jo me grushta shteti apo agresion ushtarak. Haftar gjithmonë ka preferuar dhunën. Ai duket i interesuar për procesin politik vetëm kur humbet një raund (lufte), dhe vetëm për t'u rikthyer në fuqi. Nëse ka një mësim për t'u nxjerrë nga kjo, është se komuniteti ndërkombëtar duhet të përputhet me procesin politik brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të OKB-së. Kjo do të shpëtonte shumë jetë në Libi dhe do të shpëtonte edhe burimet e rëndësishme të vendit.

Kryeministri (Izraelit) Benjamin Netanyahu mund të njoftojë aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor në korrik. Ky projekt është kritikuar pothuajse njëzëri. Por nuk ka një dakordësim se si të reagohet. Çfarë rekomandoni Ju?

Ne e refuzojmë këtë nismë, e cila ngul gozhdën e fundit në arkivolin e procesit të paqes. Aneksimi i këtyre territoreve do të varrosë çdo mundësi të zgjidhjes së konfliktit në të ardhmen. Implikimet e aspektit të sigurisë, ekonomisë dhe atij social do të jenë katastrofike për të gjithë rajonin. Shumë shtete ndajnë këtë pozicion. Por realiteti është që nuk po shohim një dakordësi mes komunitetit ndërkombëtar se si të zbatohet ky pozicion. Kjo është diçka aq e vjetër sa vetë okupimi izraelit.

Katari priti në shkurt (në Doha) nënshkrimin e një marrëveshje historike paqeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve Afganistan. Që atëherë, sulme të ndryshme kanë ndodhur në atë vend. Çfarë mund të bëhet për të ruajtur këtë traktat që duket se është në prag të kolapsit?

Nuk ka asnjë kolaps. Kjo marrëveshje gjithmonë është parë si një hap i parë. Paqja e vërtetë do të vijë vetëm kur qeveria e Afganistanit nga njëra anë dhe talebanët nga ana tjetër, të komunikojnë së bashku. Shpresojmë që ky dialog ndër-afgan të fillojë së shpejti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco