Papa: asnjë tolerancë për racizmin, por jo dhunë

Papa: asnjë tolerancë për racizmin, por jo dhunë

14:27, 03/06/2020
A+ Aa A-

Fjalët e Papës në audiencën e përgjithshme mbi protestat në SHBA-të pas vrasjes së George Floyd: nuk mund të pretendojmë ta mbrojmë shenjtërinë e çdo jete njerëzore e të mbyllim sytë përballë racizmit e përjashtimit, njofton Radio Vatikani.

Në lutjen për George Floyd, afroamerikanin 46 vjeç, vdekur në Minneapolis më 25 majin e kaluar, gjatë arrestimit, Papa dënon çdo formë të racismit, por edhe dhunën, që vijon në disa qytete të SHBA-ve. Kështu u shpreh Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, në përshëndetjen drejtuar besimtarëve të gjuhës angleze, të lidhur përmes mediave me Bibliotekën e Pallati Apostolik

”Të dashur vëllezër e motra të SHBA-ve, ndjek me shqetësim të madh  çrregullimet shoqërore, që po ndodhin në Kombin tuaj këto ditë, pas vdekjes tragjike të Zotit George Floyd. Miq të dashur, nuk mund të tolerojmë as t’i mbyllim sytë para çfarëdo tipi të racizmit ose të përjashtimit e, njëkohësisht, të pretendojmë se mbrojmë shenjëtrinë e çdo jete njerëzore. Njëkohësisht duhet të pranojmë se dhuna  e netëve të fundit është vetëshkatërruese e vetëdëmtuese. Asgjë nuk fitohet me dhunë, Gjithçka humbet. Sot bashkohem me Kishën e Shën Palit të Minneapolis e me gjithë SHBA-të në lutjen për pushimin e pasosur të George Floyd dhe të gjithë të tjerëve, që humbën jetën për shkak të mëkatit të racizmit. Të lutemi për ngushëllimin e familjeve e të miqve në zi  e edhe për pajtimin kombëtar e paqen aq të dëshiruar. Zoja e Guadalupes, Nënë e Amerikës, ndërmjetësoftë për të gjithë ata, që punojnë për paqen dhe drejtësinë në tokën tuaj e në mbarë botën”.

Fjalët e fuqishme të Papës u pasuan edhe nga ndërhyrjet e ipeshkvijve të SHBA-ve, që theksojnë se e kuptojnë zemërimin e bashkësisë afro-amerikane, duke kujtuar edhe se racizmi u tolerua tepër gjatë, por edhe se të inkurajosh dhunën, do të thotë të inkurajosh vetëshkatërrimin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco