DW: SHBA mobilizon 5 mijë anëtarë të Gardës, vendoset ushtria në më shumë se 12 shtete

DW: SHBA mobilizon 5 mijë anëtarë të Gardës, vendoset ushtria në më shumë se 12 shtete

09:11, 02/06/2020
A+ Aa A-

Trazirat pas vrasjes së një afro-amerikani tjetër nga një oficer policie janë rezultat i padrejtësive më të gjera në Shtetet e Bashkuara. Për ta rregulluar këtë, nuk duhet të ndryshosh vetëm sjelljen e policisë.

Protestat para Shtëpisë së Bardhë vazhduan deri vonë, të dielën në mbrëmje. Pati përsëri përleshje me policinë. Demonstruesit brohorisnin “Jo paqe pa drejtësi”. Në ditët e mëparshme, qindra demonstrues u zhvendosën para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër dhunës policore dhe racizmit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tani janë mobilizuar 5.000 anëtarë të Gardës Kombëtare për ta vënë situatën nën kontroll. Përveç kryeqytetit, Uashingtonit, ushtarët janë vendosur në më shumë se një dyzinë shtete.

Protestat në Uashington ishin pjesë e protestave mbarëkombëtare, që shpërthyen në Minneapolis pas vdekjes së George Floyd. 46-vjeçari afro-amerikan vdiq në 25 maj pasi një polic i vuri gjurin në fyt për më shumë se tetë minuta e duke injoruar thirrjet e tij “Nuk po marr dot frymë!”. Arsyeja e ndërhyrjes së policisë: Floyd dëshironte të paguante në një supermarket me një kartëmonedhë 20 dollarshe të dyshuar si të falsifikuar.

Operacioni policor kundër George Floyd

Vdekja e Floyd kujton rastin Eric Garner. Afro-amerikani vdiq në dhjetor 2014 pasi një oficer policie e mbërtheu nga pas në fyt, kur e arrestoi. Para se të vdiste i shtrirë në dysheme, Garneri gjithashtu kishte thirrur në mënyrë të dëshpëruar “Nuk mund të marr frymë!” Këto raste janë vetëm dy shembuj në një listë të gjatë amerikanësh të zinj të paarmatosur, të vrarë nga policë të bardhë.

“Po të heshtim bëhemi bashkëpunëtorë”

“Forca shtytëse e protestave është zhgënjimi i njerëzve”, thotë Dr. Bryant Marks, profesor i psikologjisë në Universitetin tradicional afrikano-amerikan Morehouse College, të cilin e ndoqi edhe Martin Luther King. “Ata ndjehen të pashpresë dhe të pafuqishëm. Dhe shumë oficerë policie dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë sonë nuk e kuptojnë këtë.”

Marks i tha DW edhe se Presidenti i SHBA Donald Trump nuk po kontribuon në shtimin e mirëkuptimit midis afroamerikanëve dhe policisë. Trumpi i përshkroi pjesëmarrësit e trazirave si “banditë”, një term poshtërues për gangsterët, që përdoret pothuajse ekskluzivisht për të zinjtë. Presidenti vërtet i shprehu ngushëllimet e solidaritetin familjes së Floydit, por Marksi e konsideron këtë gjest jo bindës. Fjalë dhembshurie nga Presidenti i dëgjon vetëm kur ai i lexon ato, thotë profesori i psikologjisë. “Kur ai flet lirshëm ose në tweeter-at e tij, mund të shihet uni i vërtetë i tij.”

Trumpin e kritikojnë nga shumë anë. Me sjelljen e tij ai i jep oksigjen fanatizmit, shkroi në Twitter kandidati demokrat për President të SHBA, Joe Biden. “Po të qëndrojmë të heshtur, ne bëhemi bashkëfajtorë që këto cikle dhune të vazhdojnë,” tha Biden në një tjetër twitter.

Paragjykime jo vetëm te oficerët e policisë

Të zinjtë nuk kanë pozicion më të dobët se të bardhët në Shtetet e Bashkuara vetëm kur bëhet fjalë për statistikat e brutalitetit të policisë. Mesatarisht, ata kanë edhe më shumë probleme shëndetësore dhe më pak qasje në kujdesin e mirë mjekësor. Një pasojë: në pandeminë e Corona-s, nga virusi kanë vdekur më shumë afro-amerikanë se persona të bardhë – rreth 23 përqind e të gjitha vdekjeve janë të zinj, në një kohë kur afro-amerikanët përbëjnë vetëm rreth 13 përqind të popullsisë amerikane.

A është e mundur që demonstruesit, të cilët kanë dalë tani në rrugë kundër racizmit të ndryshojnë padrejtësitë shekullore në vendin e tyre? Marksi beson se është e mundur nëse protestat vazhdojnë për një kohë dhe po të mbetet tema në media, nëse propozimet për ligje për sjelljen e policisë dhe kontrollet e policisë në disa shtete të jenë në votim në zgjedhjet e nëntorit. Por ai gjithashtu thotë se nuk mjafton që policët t’u përmbahen rregullave më të rrepta dhe të kalojnë në masa trajnimi. Paragjykimet ndaj të rinjve afro-amerikanë në veçanti janë të përhapura në të gjithë vendin. “Po të duam vërtet ta vëmë nën kontroll këtë situatë,” thotë Marks, “duhet të ndryshojë e gjithë shoqëria”./DW

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gjenerl lleshi te ndihmoje Ameriken.02/06/2020 09:39

5000 ne aq shume qytete jane shume pak..Rama dhe gjenerali mobilizuan 10000 mije vetem ne tirane. Krieminster dergo gjeneralin ne Amerike ti jap zgjidhje kesaj pune...ne mbeshtetje te aleatit tone..

Shto koment

Denonco