Pse ky është një mision historik i NASA-s në një raketë private

Pse ky është një mision historik i NASA-s në një raketë private

22:55, 30/05/2020
A+ Aa A-

Nga Jonathan Amos, BBC

Kompania private e raketave, SpaceX ka dërguar dy astronautë të NASA-s në orbitë.

Kjo është hera e parë që prej daljes në pension të anijeve shatëll nëntë vjet më parë që një ekuipazh amerikan bën një udhëtim nga territori amerikan.

Doug Hurley dhe Bob Behnken nuk janë vetëm duke testuar një sistem të ri kapsulash, por janë duke iniciuar një model të ri biznesi për NASA-n.

Agjencia nuk do të ketë më në pronësi mjetet që përdoren, por thjesht do të blejë shërbimin ‘taksi’ që ofrohet nga SpaceX.

Shpresohet që kompani të tjera të futen tani për të zgjeruar tregun. Gjigandi i ajrit, Boeing ka tashmë një kontratë me NASA-n për të bërë një gjë të tillë.

Kapsula Dragon e astronautëve e la Tokën në majën e raketës Falcon-9 saktësisht në orën 15.22 me orën amerikane.

Meteorologët kishin parashikuar një shans 50 me 50 për kushte të favorshme rreth Qendrës Hapësinore Kennedy në Florida, por me fat, dritarja e motit mbeti e hapur dhe kontrollorët e SpaceX e kapën këtë mundësi.

Falcon u ngjit mbi portin hapësinor të famshëm 39A për t’u drejtuar në verilindje mbi Atlantik. Pas dy minutash e gjysmë, pjesa e poshtme e raketës u nda për t’u kthyer në një anije-dron në det. Dhe pas gjashtë minutash, ekuipazhi u fut me siguri në orbitë.

Hurley dhe Behnken do të bëjnë një udhëtim 19-orësh për në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Mbërritja e tyre do bëhet të dielën.

Ata do i kalojnë orët e ndërhyrjes duke testuar pajisjet dhe procedurat në kapsulën e tyre, duke përfshirë edhe disa fluturime manuale.

Edhe pse kapsula Dragon është plotësisht e automatizuar dhe e gjen vetë rrugën drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, ekuipazhi duhet të përgatitet për të gjitha ngjarjet e mundshme dhe kjo do të thotë se duhet të dinë me saktësi se si të veprojnë me anijen.

Në mënyrë unike, Dragon nuk ka një levë kontrolli: të gjitha komandat e fluturimit duhet të futen përmes një paneli në një ekran me prekje.

Nuk dihet sa do qëndrojnë Hurley dhe Behnken në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, por mendohet mes një dhe katër muaj.

Duke supozuar se kthimi i tyre në ujërat e Atlantikut të jetë po kaq i butë sa nisja, NASA dhe SpaceX do të ecin përpara drejt një marrëdhënie më të plotë.

Kompania ka një kontratë prej 2.6 miliardë dollarësh me agjencinë për të dërguar gjashtë misione operative me ekuipazh drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar.

I pari do të ndodhë në fund të gushtit dhe ne do shohim katër astronautë të ngjiten mbi një Dragon dhe jo dy, si tani.

Nisja e të shtunës ndodhi në sfondin e koronavirusit.

Turmat nuk u inkurajuan që të mblidhen para kompleksit Kennedy dhe vetë NASA kufizoi ndjeshëm numrin e mysafirëve të ftuar në portin hapësinor.

Sa për astronautët ata zakonisht duhet të respektonin karantinën para fluturimit. Por përsëri NASA uli numrin e personave me të cilin mund të binin në kontakt gjatë javëve para nisjes.

Për SpaceX, e shtuna shënon një hap domethënës për kompaninë e themeluar nga miliarderi i teknologjisë, Elon Musk vetëm 18 vjet më parë.

Firma e ka ngritur industrinë e lëshimeve hapësinore me mjetet e saj të ripërdorshme dhe tani është pioniere e një qasje të re në fluturimet njerëzore në hapësirë.

Të gjitha këto nuk kanë qenë të lehta- sikundër dëshmohet nga shpërthimi spektakolar në raketën prototip të premten në Teksas.

Por kompania ka provuar në mënyrë të vazhdueshme se skeptikët e kanë dyshim dhe NASA beson se marrëdhënia e saj me Elon Musk do të kursejë miliarda dollarë që mund të deviohen në misione më komplekse për të kthyer njerëzit në Hënë dhe më pas në Mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco