U provua në 108 persona, vaksina e koronavirusit jep rezultate premtuese në Kinë

U provua në 108 persona, vaksina e koronavirusit jep rezultate premtuese në Kinë

13:50, 23/05/2020
A+ Aa A-

Një vaksinë e zhvilluar në Kinë duket se është e sigurt dhe mund të mbrojë njerëzit nga koronavirusi, njoftuan studiuesit të premten, bën të ditur New York Times.

Faza e parë e eksperimentit të saj, botuar në Lancet, u krye nga studiues të disa laboratorëve dhe përfshiu 108 pjesëmarrës të moshës 18 deri në 60 vjeç. Ata që morën një dozë të vetme të vaksinës prodhuan qeliza të caktuara imune, të quajtura qeliza T, brenda dy javësh. Antitrupat e nevojshëm për imunitet u shfaqën 28 ditë pas vaksinimit.

"Këto janë të dhëna premtuese, por janë të dhëna fillestare," tha Dr. Dan Barouch, drejtor i hulumtimit të vaksinave në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess” në Boston, i cili nuk ishte i përfshirë në punim. "Megjithatë,  unë do të thosha se ky është një lajm i mirë."

Eksperimenti është hapi i parë në testimin e vaksinës dhe ishte menduar kryesisht për të verifikuar sigurinë e tij. Që të dëshmohet efektiviteti i saj do të duhen eksperimente në mijëra, ndoshta qindra mijëra persona.

Një vaksinë për koronavirusin e ri konsiderohet të jetë zgjidhja më e mirë afatgjatë për lejimin e vendeve që të rihapin ekonomitë e tyre dhe të kthehen në normalitet. Ekipe të shumta në të gjithë botën po garojnë për të provuar kandidatë të ndryshëm.

Të hënën, Moderna njoftoi se vaksina e saj dukej se e ishte e sigurt dhe efektive, bazuar në rezultatet e tetë personave në eksperimentin e saj. Dhe të mërkurën, Dr Barouch dhe kolegët e tij publikuan një studim që tregonte  se prototipi i vaksinës së tyre i mbrojti majmunët nga infektimi me koronavirus.

Rezultatet e një eksperimenti tjetër për vaksinat për njerëzit janë botuar në një ditar shkencor. Kjo vaksinë tani ka hyrë në fazën e mesme të eksperimentit tek njeriu, tha të premten prodhuesi, Sinovac Biotech Ltd.

Vaksina e raportuar sot është bërë me një virus, të quajtur Ad5, i modifikuar për udhëzime gjenetike tek një qelizë njerëzore. Qeliza fillon të prodhojë një proteinë të koronavirusit; sistemi imunitar mëson të njohë proteinën dhe ta sulmojë atë, duke parandaluar në teori që koronavirusi të mos fitojë kurrë terren.

Po ashtu, Radio e Jashtme e Kinës njoftoi:

"The Lancet": Vaksina e shkencëtarëve kinezë, e sigurt në fazën e parë të provës klinike.

Image

Në revistën e famshme mjekësore "The Lancet", u publikua të premten një artikull për rezultatin e provës së parë klinike të vaksinës për koronavirusin e ri të studiuar nga 21 shkencëtarë kinezë.

Sipas këtij artikulli, vaksina e parë në botë e një adenovirusi të rikombinuar të tipit E për COVID-19, që është krijuar nga ekspertët kinezë, ka kaluar testin e sigurisë dhe mund të shkaktojë reagime imuniteti te njeriu.

Nga 16 deri më 27 mars 2020, u bë vlerësimi për 195 persona, duke përzgjedhur 108 prej tyre për të marrë pjesë në provat klinike të vaksinës (51% meshkuj dhe 49% janë femra, me moshë mesatare 36.3 vjeç), të cilët u ndanë në tre grupe me nga 36 veta. U bënë prova përkatësisht me dozë të ulët, të mesme dhe të lartë të vaksinës dhe u regjistruan të gjitha rezultatet e provave dhe reagimet përkatëse të pjesëmarrësve.

Gjatë provave, te pjesëmarrësit u shfaqën disa simptoma, si dhimbje, temperaturë dhe lodhje, por shumica prej tyre ishin të lehta ose të mesme. Pas 28 ditëve, nuk ka pasur reagime negative ose të rënda.

14 ditë pas injektimit të vaksinës, janë shtuar në mënyrë të dukshme antitrupat, duke arritur vëllimin maksimal pas 28 ditëve. Reagimi nga qelizat T arriti nivelin maksimal pas 14 ditëve.

Kryeredaktori i revistës Richard Horton e publikoi këtë arritje në rrjetin social, duke thënë që provat klinike për vaksinën e parë në botë për COVID-19 tregojnë sigurinë e cilësinë e mirë të kësaj vaksine, e cila mund të shkaktojë reagime të shpejta imuniteti. "Rezultati i studimeve shënon një pikë të rëndësishme historike," tha Horton."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco