Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

‘Nuk mund të burgosësh një popullatë të tërë’

‘Nuk mund të burgosësh një popullatë të tërë’

13:22, 18/05/2020
A+ Aa A-

Nga Jonathan Sumption, Spectator*

Arsyetimi aktual për bllokimin është inkoherent. Arsyetimi i vjetër ishte: duhet ta shtrijmë përhapjen e virusit për një periudhë sa më të gjatë, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet. Kjo ishte arsyeja pse lindi slogani: të shpëtojmë shërbimin shëndetësor. Epo, tani hoqën dorë nga ky slogan- dhe kanë bërë mirë. Aktualisht shërbimi shëndetësor ka dyfishuar kapacitetin e kujdesit intensiv. Kjo është një arritje mbresëlënëse nga qeveria. Por duhet ndjekur logjika e kësaj. Fakti thelbësor është se qeveria e pranon se Covid-19 do të jetë me në për një kohë të gjatë. Ky është përfundimi i mundshëm. Dhe është në përputhje me shkencën. Sapo virusi të fitojë terren në një popullatë, ai nuk ikën derisa mjaftueshëm njerëz të ekspozohen ndaj sëmundjes për të fituar imunitet, ose kur të shfaqet një vaksinë. Por, kur të përfundojë izolimi, kurdo që të ndodhë, virusi do jetë atje duke pritur për ne.

Më shumë se nëntë nga dhjetë vdekje, janë raste ku certifikata e vdekjes tregon se ka pasur shkaqe të shumta për vdekjen: koronavirusi është vetëm një prej tyre. Ky është një virus që sulmon njerëzit me dobësi të vërteta para-ekzistuese. Pothuajse të gjithë njerëzit që kanë vdekur janë shumë të moshuar dhe vuanin nga sëmundje aq serioze sa mund të përmenden si shkak në certifikatë. Shumica e tyre do kishin vdekur. Pak më vonë, por jo shumë më vonë.

Prandaj ajo që mbroj unë tani është se bllokimi duhet të jetë tërësisht vullnetar. Varet nga ne, jo nga shteti, që të vendosim se çfarë rreziqesh do të marrim në trupat tanë.

Tani, përgjigjia tradicionale është se duke dalë në rrugë dhe dyqane, po infektoni njerëz të tjerë. Por nuk është e nevojshme të rrezikosh. Ju mund të vetizoloheni. Nuk keni pse dilni në rrugë. Nuk keni pse shkoni në dyqane. Njerëzit që janë vulnerabël mund të vetizolohen dhe pjesa tjetër e jona do të vazhdojë jetën. Ne nuk kemi jetuar kurrë në një botë pa rreziqe. Asnjëherë nuk do jetojmë në një botë pa rreziqe. Ne duhet të jetojmë me Covid-19 sepse do jetë këtu për një kohë të gjatë derisa dikush të shpikë dhe testojë me sukses një vaksinë.

Zgjidhja ime do të ishte që të jetoja një jetë krejtësisht normale. Nëse baret do ishin të hapura tani, do të shkoja në një pub të mbushur me njerëz pa hezitim. Edhe nëse teatrot do ishin të hapura, do të shkoja pa hezitim sepse kjo është – për shumicën dërrmuese të njerëzve pa probleme shëndetësore- një epidemi shumë e butë. Në dokumentet e qeverisë për vlerësimin e rrezikut, renditen të gjitha pandemitë që nga viti 1918. Shkalla e vdekshmërisë së kësaj pandemie është në të djathtë poshtë, më e ulët se cilado nga të tjerat. Unë do e merrja me gëzim këtë rrezik.

Padyshim do të ketë pak njerëz që nuk marrin vendime të arsyeshme. Por nuk mund të burgosësh tërë popullatën sepse një pakicë e vogël nuk është e ndjeshme në sigurinë e saj.

Ky bllokim po shkatërron jetesën në një shkallë masive. Po bën dëme të mëdha. Dhe në pikëpamjen time, nuk ka qenë kurrë një çmim që duhej paguar për rezultatet jo-mbresëlënëse që mund t’i atribuohen drejtpërdrejt bllokimit. Ne kemi të drejtë të ndërmarrim rreziqe me jetën tonë, veçanërisht kur në thelb jeta ia vlen të jetosh vetëm nëse je i përgatitur të përfshihesh në aktivitete shoqërore, të cilat në mënyrë të pashmangshme përfshijnë rrezikun. Kjo është pjesë e jetës.

*Lord Sumption është ish-gjykatës i lartë në Britani, historian dhe shkrimtar

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco