Luftë në ‘parajsë’/ Nipi i vendos përgjues miliarderit

Luftë në ‘parajsë’/ Nipi i vendos përgjues miliarderit

12:59, 18/05/2020
A+ Aa A-

Edhe pse në kohëra pandemie, kjo ngjarje, e cila i ngjan një trilleri Hollivudi, ia doli të ishte ndër lajmet më të lexuara jo vetëm në Angli, por edhe në Europë.

Miliarderi i njohur britanik, Sir Frederick Barclay, publikoi pamjet e jashtëzakonshme që tregojnë se si nipi i tij i vendos një pajisje përgjimi në hotelin Ritz.

Familja Barclay është ndër më të pasurat dhe më të fuqishmet në vend.

Miliarderi thotë se pajisja u përdor për të përgjuar takimet e tij private të biznesit, si pjesë e një beteje të hidhur me familjen e vëllait.

Sir Frederick, 85 vjeç, është përfshirë në një betejë të ashpër ne Gjykatën e Lartë me tre djemtë e vëllait të tij binjak, Sir David, në lidhje me përgjimet. Avokati i tij thotë se ky është spiunazh komercial në shkallë të gjerë.

Në video shihet nipi i tij, Alistair, teksa ngjit pajisjen e përgjimit më 13 janar, e cila ka kapur më shumë se 1 mijë biseda.

Dy vëllezërit, Sir Frederick dhe Sir David kanë krijuar një pasuri shumë të madhe, të cilën e kanë vendosur në truste, ku fëmijët e tyre janë përfitues. Kjo do të thotë se tre djemtë e David kanë më shumë interes kontrollues se vajza e Sir Frederick. Nga dhjetori i shkuar, djemtë e Sir David kanë marrë kontrollin mbi shumicën e aseteve të kompanisë dhe vajza e Sir Frederick nuk mund të bllokojë asnjë vendim të madh nga ana e tyre.

Gjykata refuzoi të publikonte pamjet për mediat, por ishte vetë Sir Frederick që e mori këtë vendim.

Një nga arsyet e përplasjes së tyre është shitja e hotel Ritz. Në dokumentet e çështjes, Sir Frederick pretendon se të pandehurit kanë mësuar nga përgjimet për një bisedë që ai zhvilloi me Sidra Capital, e cila kërkoi të blinte hotelin Ritz për një vlerë prej 1.3 miliardë sterlinash.

“Pavarësisht kësaj, të akuzuarit e shitën hotelin Ritz te një blerës tjetër nga Katari për gjysmën e kësaj vlere. Dikush mund të pyesë pse,” thuhet në dokumentet e gjyqit.

Hoteli u shit nga ana e familjes së Sir David te një biznesmen nga katari në mars.

Sir Frederick kërcënoi se do ndërmerrte veprime nëse hotel Ritz shitej me më pak se 1 miliard sterlina. Por pak pasi vendosën përgjuesit, vajza e tij Amanda u hoq nga posti i drejtoreshës së Ritz. Dy djemtë e Sir David u bënë drejtorë.

Dy vëllezërit e kishin blerë hotelin 114-vjeçar për 75 milionë sterlina në vitin 1995.

Dikur dy vëllezërit ishin të pandashëm dhe jetonin në një kështjellë gotike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco