Anulojeni meshën në Sarajevë për fashistët e vrarë në 1945! Gordan Jandrokoviç, Goran Mariç dhe Damir Krstiçeviç në Bleiburg 2018

Anulojeni meshën në Sarajevë për fashistët e vrarë në 1945!

11:55, 15/05/2020
A+ Aa A-

Në Sarajevë një kardinal do të mbajë një meshë për fashistët e vrarë në vitin 1945. Duartrokitje nga partia në pushtet në Kroaci. BE, PPE dhe kisha katolike duhet të dalin me qëndrim, mendon Christian Schwarz-Schilling.

Nga Christian Schwarz-Schilling, Deutsche Welle

Me 8 dhe 9 Maj festuam 75 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të fitores së aleatëve mbi fashizmin hitlerian. Më shumë se 60 milionë njerëz humbën jetën në këtë luftë, dhjetëra mijëra u vranë në kampe përqendrimi. "Kujtimi i luftës dhe tmerret e saj duhen mbajtur gjithmonë gjallë", thuhej në deklaratën e qeverisë gjermane për këtë ditë përkujtimore.

Pikërisht në këto ditë - në mesin e pandemisë së koronës – arriti lajmi, se më 16 maj do të mbahet në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, një meshë e përmortshme për mbështetësit kroatë të Gjermanisë naziste, të rënë në Luftën e Dytë Botërore, të ashtuquajturit "Ustasha" (një lëvizje nacionaliste, që bashkëpunonte me Gjermaninë naziste).

Kolaboratorë të regjimit nazist

Për kujtesë: Nga pushtimi i Jugosllavisë në 1941 deri në përfundimin e luftës në 1945 „Shteti i pavarur i Kroacisë" (NDH) i themeluar rishtas nën patronatin e Hitlerit sundohej nga kolaboratorë të regjimit nazist. Ata deportuan dhe vranë në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe në pjesët e Serbisë të pushtuara nga kroatët popullatën hebreje, myslimanë, serbë, romë dhe opozitarë kroatë. Vetëm në Sarajevë më shumë se 10.000 njerëz ranë viktimë e regjimit të Ustashëve.

Tetë ditë pas përfundimit të luftës në kufirin jugosllavo-austriak pranë qytetit Bleiburg anëtarë të Ustashëve, ushtarë të NDH-së, kolaboratorë malazezë, serbë dhe sllovenë të nazistëve si dhe civilë, që donin t‘u dorëzoheshin trupave britanike, iu dorëzuan nga këta ushtrisë jugosllave, që ishte e lidhur me aleatët. Kjo ekzekutoi brenda një kohe të shkurtër dhe pa gjyq shumë robër; të tjerët i dërgoi në marshimet e vdekjes. Në Jugosllavinë komuniste (1945-91) këto akte nuk u përpunuan.

Një vend për festime përkujtimore të anakronikëve

Bleiburg është ndërkohë një vend përkujtimor i atyre, që nuk ikin dot nga e shkuara. Çdo vit me 16 maj zhvillohet këtu një nga takimet më të mëdha të fashistëve në Europë. I maskuar si "event fetar", ai është bërë vend pelegrinazhi jo vetëm për klerikë katolikë të ekstremit të djathtë, ish-luftëtarë të ustashëve dhe neonazistë – por herë pas here edhe për politikanë kroatë të rangut të lartë. As edhe distancimi zyrtar i dioqezës Gurk-Klagenfurt në Karenti nuk mundi të ndalë grumbullimet.

Nga korona këtë vit është krijuar një situatë tjetër: Takimi në Bleiburg nuk mund të zhvillohet. Në vend të kësaj kardinali boshnjak Vinko Puljiç, i cili do të mbante në Bleiburg meshën mortore ashtu si edhe në vitet e mëparshme, dëshiron të mbajë tani me 16 maj në katedralen e Sarajevës një meshë për viktimat e Bleiburg-ut.

Si asnjëherë tjetër presidiumi shtetëror boshnjak me vendim unanim

E drejta e lirisë së besimit është e ankoruar në demokracinë në Bosnjë-Hercegovinë. Por kundër meshës për Bleiburg-un ka shumë protestë. A duhet me të vërtetë të zhvillohet një event për nazistët në një shtet multietnik, i cili ka vuajtur aq shumë nga nacionalizmi në luftën e fundit para 25 vjetësh? Edhe presidenca tre-anëtarëshe e vendit është si rrallë herë e një mendimi: Të tre anëtarët i sugjerojnë kardinalit ta rishqyrtojë vendimin e tij.

Boshnjakët janë të irrituar – dhe kjo mund të jetë një arsye për t‘u shqetësuar. Qytetarët kanë edhe frikë se për shkak të "Bleiburg-ut" mund të shkaktohen trazira. Politikanët i bëjnë thirrje boshnjakëve për maturi, si partia më e madhe boshnjake SDA: "Ne u bëjmë thirrje qytetarëve, që mosmarrëveshjet për mbajtjen e meshës nga kisha katolike të mos i shprehin në atë mënyrë, që mund të çonin në incidente."

Fundi i bashkëpunimit të kishave të krishtera

Edhe kreu i kishës ortodokse serbe në Bosnjë e dënoi vendimin e kardinalit Puljiç – ai njoftoi me fjalë të mprehta përfundimin e çdo bashkëpunimi të të dyja kishave: "Me këtë vendim e keni mbyllur përgjithmonë derën e katedrales për ne." Në një shtet multietnik, në të cilin toleranca dhe respekti për të jetuar së bashku është gjëja më e rëndësishme, kriza vetëm sa thellon më tej hendeqet ekzistuese.

Ambasada izraelite në Tiranë, përfaqësuese edhe për Bosnjë-Herzegovinën, dhe përfaqësues kryesorë hebrej në Bosnjë iu drejtuan gjithashtu kardinalit, ashtu si dhe shumë organizata demokratike dhe parti, si dhe personalitete të njohura. Presidenti i bashkësisë hebraike në Bosnjë-Herzegovinë, Jakob Finci, shkroi në një letër të hapur, se kjo meshë "kujton xhelatët e nënave tona, baballarëve, gjyshërve, bashkatdhetarëve dhe të gjithë njerëzve të tjerë të pafajshëm, që u vranë nga fashistët e para-shtetit NDH (Shteti i Pavarur i Kroacisë)", dhe që do të thoshte një ringjallje dhe forcim i fashizmit. Madje dhe ambasada amerikane në Sarajevë i bën thirrje organizatorëve, që të distancohen nga "revizionizmi historik dhe retorika anakronike".

Partia në pushtet në Kroaci zhvendoset djathtas

Organizata ombrellë e 13 partive politike kroate, e quajtur "Asambleja Kroate e Bosnjes dhe Herzegovinës", e mbështet kardinalin Puljiç. Po ashtu si dhe Parlamenti i shtetit anëtar të BE Kroacisë – patroni i ceremonisë përkujtimore.

Vitet e fundit vihet re se partia qeverisëse në Zagreb, "Bashkësia Demokratike Kroate" HDZ, po rrëshqet gjithnjë e më shumë djathtas. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për partinë e saj simotër në Bosnje. Duhet pyetur, përse BE i mbyll sytë. Kroacia është anëtare e BE dhe masat përkatëse do të ishin në këtë rast gjëja e duhur; por BE dhe Partia Popullore Europiane, EVP – anëtare e së cilës është HDZ - vetëm vështrojnë ngjarjet pa ndonjë konsekuencë.

Anullojeni këtë meshë!

Është shqetësuese, që forcat e djathta dhe antisemite mund të përhapin pa u penguar ideologji antihumane. Ne nuk duhet të harrojmë, se nga çfarë jemi çliruar para 75 vjetësh. Ne kurrë nuk duhet të rreshtim për të luftuar pa u lodhur kundër fashizmit. U bëj thirrje PPE, Brukselit dhe instancave më të larta të kishës katolike, që të pozicionohen kundër fashizmit dhe forcave nacionaliste të djathta, dhe ta anulojnë këtë meshë, para se të jetë vonë!

Unë mund të kem vetëm shpresë, që edhe kardinali boshnjak Vinko Puljiç ta kuptojë para 16 majit, se me një meshë për fashistët nuk arrin pajtimin - përkundazi.

Image

Në fotografi: Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë nga viti 1982 deri 1992 ministër federal i Postës dhe Telekomunikacionit nga partia CDU. Ai e dorëzoi postin në shenjë proteste kundër qendrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjës. Në vitet 2006/07 ka qenë Përfaqësues i Lartë i BE në Bosnjë-Hercegovinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco