‘Pushtimi’ i dytë aziatik në SHBA: Grerëzat gjigante që rrezikojnë popullsinë e bletëve

‘Pushtimi’ i dytë aziatik në SHBA: Grerëzat gjigante që rrezikojnë popullsinë e bletëve

11:52, 04/05/2020
A+ Aa A-

Coronavirusi nuk është rreziku i vetëm i importuar nga Azia për Amerikën, teksa në zonën e shtetit Washington, në bregun perëndimor, janë zbuluar specie grerëzash gjigante dhe shkencëtarët po nxitojnë të gjejnë sa më shpejt qendrën e insekteve shkatërruese për t’i shfarosur para se ato të përhapen në gjithë SHBA dhe të bëhet e pamundur për t’i zhdukur.

Grerëza, e quajtur Grerëza Gjigante Aziatike, ka qenë në radarin e autoriteteve që në fundin e dhjetorit kur u vunë re fillimisht në Blaine, pranë kufirit me Kanadanë.

“Grerëzat gjigante aziatike, mbretëreshat e të cilave rriten deri në pesë centimetra, përdorin nofullat e forta për të fshirë një koshere bletësh brenda pak orëve. Ato këputin kokat bletëve dhe marrin me vete trupat e tyre për të ushqyer të vegjlit”, shkruan New York Times. “Për shënjestra më të mëdha, helmi i fuqishëm dhe thumbi i grerëzave – mjaftueshëm i gjatë për të shpuar veshjet mbrojtëse nga bletët – përbëjnë një kombinim të dhimbshëm të cilin viktimat e kanë krahasuar me metal të nxehtë që u futet në lëkurë”.

Grerëzat gjigante aziatike vrasin duzina njerëzish çdo vit në Japoni e Kinë dhe, sipas entomologut nga shteti Washington, Chris Looney, ato njihen më tepër për sulmet kundër bletëve të mjaltit.

“Shkencëtarët janë vënë në kërkim aktiv të grerëzave, të shqetësuar se ato mund të shfarosin popullsinë e bletëve në SHBA dhe të shtohen aq sa të shuhen shpresat për shfarosje”, vazhdon NY Times. “Jun-ichi Takahashi, studiues në Kyoto Sangyo University në Japoni, thotë se kjo specie ka marrë epitetin ‘grerëza vrasëse’ atje pasi sulmet agresive në grup mund ta ekspozojnë viktimën karshi dozave të helmit të barabarta me ato të një gjarpri helmues. Një seri thumbimesh mund të jetë fatale”.

Ndërsa nuk është ende e qartë se si kjo specie ka ardhur në Amerikë nga Azia, Looney e ka një farë ideje. Ai thotë se është e mundur që t’i kenë sjellë qëllimisht, pasi “në shumë vende aziatike, këto grerëza të mëdha mishtore përdoren si ushqim, ndaj është plotësisht e mundur që dikush i ka sjellë me mendimin për t’i kultivuar si burim ushqimi në Amerikën Veriore”.

Ai shtoi se është e mundur që të jen sjellë me anije që transportojnë ushqime e mallra të tjera.

Helmi i grerëzave gjigante aziatike është më i fortë se i bletëve të zakonshme dhe thumbi është shumë më i dhimbshëm.

“Grerëzat gjigante tërhiqen nga djerësa e njerëzve, alkooli, dhe aromat e ëmbëlsirave. Janë veçanërisht të ndjeshme kur kafshët apo njerëzit vrapojnë”, raporton CNN.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco