Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Raporti bombastik i inteligjencës perëndimore: Si gënjeu Kina

Raporti bombastik i inteligjencës perëndimore: Si gënjeu Kina

12:51, 02/05/2020
A+ Aa A-

Nga Nick Givas dhe Samuel Chamberlain, Fox News

Një dosje hetimore, e hartuar nga aleanca e inteligjencës, e quajtur ‘Pesë Sytë’, thekson se Kina në mënyrë të qëllimshme fshehu ose shkatërroi prova për shpërthimin e koronavirusit, duke sjellë si pasojë humbjen e dhjetëra-mijëra jetëve në botë.

Raporti me 15 faqe, i agjencive të inteligjencës së SHBA, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Australisë dhe Zelandës së Re, është siguruar nga gazeta australiane Saturday Telegraph. Në raport thuhet se sekreti i Kinës është një ‘sulm ndaj transparencës ndërkombëtare’.

Dosja prek tema që janë diskutuar në raportet mediatike në lidhje me shpërthimin e virusit, duke përfshirë një mohim fillestar nga Kina se virusi mund të transmetohej mes njerëzve, heshtja ose ‘zhdukja’ e mjekëve që tentuan të ngrenë zërin, shkatërrimi i provave në laboratorë dhe refuzimi për të ofruar mostra të gjalla për shkencëtarët ndërkombëtarë që po punojnë për një vaksinë.

Në mënyrë të veçantë, në dosje thuhet se Kina filloi të censurojë lajmet për virusin nga motorët e kërkimit dhe mediat sociale duke nisur nga 31 dhjetori, duke fshirë fjalët ‘variacion i SARS’, ‘tregu i prodhimeve të detit në Wuhan’ apo ‘pneumonia e panjohur në Wuhan’.

Tri ditë më vonë, më 3 janar, Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë urdhëroi që mostrat e virusit ose të zhvendoseshin në objektet e caktuara për testim, ose të shkatërroheshin, duke lëshuar njëkohësisht edhe një urdhër jo-publikimi për sëmundjen.

Raporti i gazetës përfshin edhe një kronologji të mashtrimeve kineze. Më 5 janar, për shembull, Komisioni Shëndetësor Rajonal në Wuhan ndaloi publikimin e përditësimeve ditore për numrin e rasteve të reja dhe nuk i rifilloi për 13 ditë. Më 10 janar, Wang Guanga, një specialist respirator në Spitalin e Parë në Pekin, që kishte hetuar shpërthimin, tha se ai ishte nën kontroll dhe se ishte kryesisht i butë (12 ditë më vonë ai do zbulonte se ishte infektuar vetë me virus).

Dy ditë më vonë, më 12 janar, laboratori i një profesori në Shangai u mbyll pasi ndau të dhëna me botën e jashtme për sekuencën gjenetike të virusit.

Më 24 janar, zyrtarët kinezë ndaluan Institutin e Virologjisë në Wuhan që të ndante mostra të viruseve me një laborator në Universitetin e Teksasit.

Ndoshta më e rënda, në dosje thuhet se autoritetet kineze mohuan se virusi mund të përhapet mes njerëzve deri më 20 janar, ‘përkundër provave të transmetimit njeri-njeri që nga fillimi i dhjetorit’.

Dosja nuk kursen as Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke deklaruar se ajo i qëndroi linjës kineze për transmetimin njeri-njeri, pavarësisht faktit se zyrtarët në Tajvan kishin ngritur shqetësime që më 31 dhjetor dhe ekspertët në Hong Kong që më 4 janar.

Edhe të premten, llogaria zyrtare e OBSH në Twitter kishte një mesazh nga 14 janari, ku thuhet: Hetimet paraprake nga autoritetet kineze nuk kanë gjetur prova të qarta të transmetimit të koronavirusit të ri nga njeriu te njeriu.

Dosja vazhdon të theksojë se gjatë muajit shkurt, ‘Pekini i bëri presion SHBA-së, Italisë, Indisë, Australisë dhe fqinjëve që të mos vendosin kufizime të udhëtimit me Kinën, edhe pse Kina kishte imponuar kufizime të rrepta në shtëpinë e saj’.

Në të njëjtën kohë, dosja thotë: ‘Miliona njerëz u larguan nga Wuhan pas shpërthimit dhe përpara se të bllokohej më 23 janar nga Pekini’.

Dosja vazhdon duke theksuar se ‘ndërsa diplomatët e BE po hartonin një raport për pandeminë, Kina i bëri presion Brukselit që të zbuste gjuhën ndaj tyre për dezinformimet’.

Në mënyrë të ngjashme, ‘kur Australia kërkoi një hetim të pavarur të pandemisë, Kina kërcënoi se do ndërpresë tregtinë me Australinë’. ‘Kina i është përgjigjur me zemërim edhe thirrjeve të SHBA për transparencë’.

Raporti thekson megjithatë një pikë ku ka mospërputhje mes qeverive aleate, me Australinë që thotë se virusi e ka origjinën nga tregu i lagësht në Wuhan, ndërsa shanset që të ketë rrjedhë nga laboratori janë 5 përqind.

Në të kundërt, Fox News raportoi më 15 prill se zyrtarët e inteligjencës amerikane janë gjithmonë e më të sigurt se koronavirusi e ka origjinën nga një laborator në Wuhan.

Presidenti Trump tha të enjten se ai ka parë prova që sugjerojnë se virusi erdhi nga një laborator.

Burime të shumta thanë për Fox News se besohet se standardet në Wuhan nuk u morën parasysh përpara se të rridhte virusi, duke bërë që Pekini të niste një fushatë mbulimi. Burimet gjithashtu pohuan se OBSH ishte bashkëpunëtore që në fillim duke ndihmuar Kinën që të mbulonte gjurmët e saj.

Kina dhe OBSH kanë mohuar çdo shkelje.

Saturday Telegraph gjithashtu raportoi se figurat kryesore në Institutin e Virologjisë në Wuhan kanë punuar ose kanë trajnuar në laboratorët e qeverisë australiane, ku kanë kryer hulumtime mbi patogjenët në lakuriqët e gjallë si pjesë e një partneriteti të vazhdueshëm me Akademinë Kineze të Shkencave.

Sipas dosjes, puna e ekipit në laboratorin e Wuhan-it përfshinte zbulimin e mostrave të koronavirusit në një shpellë në provincën Yunnan dhe sintetizimin e një koronavirusi të nxjerrë nga lakuriqët, që nuk mund të shërohej.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco