Giuseppe Conte: BE-ja duhet të ndihmojë vendet e goditura nga koronavirusi

Giuseppe Conte: BE-ja duhet të ndihmojë vendet e goditura nga koronavirusi

08:03, 09/04/2020
A+ Aa A-

Kryeministri i Italisë tha për  BBC-së se Bashkimi Evropian rrezikon të dështojë si një projekt në krizën e koronavirusit.

Giuseppe Conte tha se BE-ja duhet të veprojë në një mënyrë adekuate dhe të koordinuar për të ndihmuar vendet që po goditen më shumë nga virusi.

Z. Conte tha se Bashkimi Evropian duhet të ngrihet të sfidojë atë që ai e quan "provën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore".

Kjo ishte intervista e tij e parë me median në Mbretërinë e Bashkuar që nga shpërthimi i pandemisë në Itali shtatë javë më parë.

Ai foli në një moment kur Italia dhe disa vende të tjera të BE po përpiqen të shtyjnë më shumë anëtarët e bllokut të lëshojnë të ashtuquajturat "korona bond" - duke ndarë borxhin e që të gjitha vendet e BE të ndihmonin për ta shlyer. Në mënyrë të veçantë Hollanda ka kundërshtuar idenë, duke çuar në një përplasje midis ministrave të financave të eurozonës.

Kryeministri italian i tha BBC-së se drejtuesit e Evropës ishin "përballë një takimi me historinë" që ata nuk mund të humbnin.

"Nëse ne nuk shfrytëzojmë mundësinë për të futur frymë të re në projektin evropian, rreziku i dështimit është real".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco