Nju Jork: 'Deri në 20 korrik nuk ju nxjerr njeri nga shtëpia'

Nju Jork: 'Deri në 20 korrik nuk ju nxjerr njeri nga shtëpia'

07:30, 02/04/2020
A+ Aa A-

Erdhi dita e qerasë – po shumica në New York City nuk shkojnë dot më në punë. Ja se çfarë po diskutohet për këtë:

Nga Ruben Avxhiu

Është data 1 prill dhe duhet paguar qeraja. Mirëpo, qindra-mijëra njujorkezë kanë mbetur pa punë për shkak të paralizimit të lëvizjes nga koronavirusi dhe shumë prej tyre nuk kanë para për ta paguar. Çfarë duhet të bëjnë ata?

Më poshtë vijojnë disa informacione që mund t’ju ndihmojnë, deri sa qeveria e New York-ut, avokatët e të drejtave të qiramarrësve, dhe pronarët e ndërtesave të arrijnë ndonjë marrëveshje.

A duhet të ta paguaj qiranë për muajin e prillit?

Përgjigjia e shkurtër është Po.

Detyrimi për të paguar qiranë nuk ka ndryshuar edhe nëse e ke humbur punën nga koronavirusi.

Nga ana tjetër, nëse nuk e paguan dot, dallimi është se nuk të nxjerr njeri nga shtëpia. Të paktën për 90 ditë (gati tre muaj) sipas moratoriumit të Guvernatorit Andreë Coumo. Pra, nuk do të ketë dëbime deri në 20 korrik, po detyrimi financiar mbetet.

OK, nuk më nxjerrin dot me detyrim nga shtëpia, po sikur pronari ta provojë gjithësesi?

Nëse pronari i ndërtesës ju dëbon gjatë këtyre 90 ditëve kjo është një shkelje e ligjit dhe keni të drejtë të thërrisni policinë.

Çdo njujorkez që merr një lajmërim dëbimi apo sheh Marshallët e Qytetit duke dëbuar dikë gjatë kësaj periudhe mund të raportojë në Zyrën e Marshallëve, në Departamentin e Hetimit: (212) 825-5953.

Është folur se qiratë do të pezullohen? A është e vërtetë?

Mbase, po nuk është vendosur ende. Janë dy projektligje në legjislaturën e shtetit në Albany. Një nga Senatori i Shtetit Michael Gianaris (Demokrat -nga Queens) dhe tjetri nga Anëtarja e Asamblesë Yuh Line Niou (Demokrate – nga Manhattan) — që kërkojnë faljen e qirave për tre muaj për banorët dhe bizneset e vogla, të cilat kanë humbur të ardhurat nga kriza e koronavirusit.

Këto do të shoqërohen me lehtësime në pagesat kësteve për pronarët e pallateve që kanë këta qiramarrës.

Mirëpo ngrirja e qirasë, që po kërkohet me ngulm nga shumë akovatë të të drejtave të qiramarrësve, edhe nëse miratohet si ligj, do të duhej të nënshkruhej nga Governatori Cuomo dhe ai nuk duket se ka dëshirë ta bëjë.

“Kam ndaluar dëbimet për 90 ditë”, është shprehur ai kur e kanë pyetur gazetarët. “Kjo e zgjidh problemin”.

I shtyrë për të thënë se çfarë do të ndodhë kur të mbarojë 90-ditëshi dhe shumë vetë të jenë të mbytur në borxh me pronarin e ndërtesës, Guvernatori tha se kur të vijë ajo ditë do të merremi me të.

Kryebashkiaku deBlasio ka kërkuar ngrirjen e qirave të ndërtesave me qera të kontrolluar e të ulët. Zyrtarë të tjerë, përfshi edhe Presidenten e Manhattan-it, kanë propozuar që pronarët të marrin depozitën që u kanë lënë qiramarrësit, në vend të qerasë. Po këto janë vetëm diskutime deri tani.

Të dhënat e mesipërme u morën në një shkrim nga THECITY. Një shkrim tjetër në “The New York Times” këshillonte që një mënyrë tjetër është bashkëpunimi mes qiramarrësve dhe pronarëve të pallateve për një kompromis. Mund të paguhet gjysma ose një shifër e përballueshme nga familja. Pronarët mund të këmbëngulin për shumën e plotë, po nëse ligji kalon, ata mund të mbeten pa gjë. Pra çfarëdo shume kompromisi mund të jetë me interes.

E fundit, synimi i ndalimit të dëbimeve është që njerezit në New York që u duhet të zgjedhin mes ushqimit dhe qirasë, të shpenzojnë paratë që kanë në gjendje për të parin dhe jo për të dytën.

Po teknikisht qiraja mbetet në fuqi. Nëse i ke paratë, duhet ta paguash./GAZETA ILLYRIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco