'Qëndroni në shtëpi'/ Meksikanët ngrejnë 'murin' me SHBA nga frika e COVID-19

'Qëndroni në shtëpi'/ Meksikanët ngrejnë 'murin' me SHBA nga frika e COVID-19

17:49, 26/03/2020

Muri që ndan Meksikën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një ndër premtimet kryesore të Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale me qëllim uljen e fluksit të emigrantëve të paligjshëm.

Por sot kur SHBA po përballet me një rritje të shpejtë të të prekurve dhe viktimave me COVID-19, meksikanët jo vetëm që duan të kalojnë kufirin, por kërkojnë të mbajnë larg edhe amerikanët.

Disa protestues meksikanë kanë mbyllur një pikë kalimi kufitar me SHBA-të me frikën e përhapjes së Koronavirusit.

Banorët në Sonora, në jug të shtetit amerikan të Arizonës, kanë premtuar se do të bllokojnë trafikun drejt Meksikës ditën e sotme, pasi bënë të njëjtën gjë për një orë ditën e mërkurë, shkruan BBC, përcjell Syri.net.

Ata mbanin maska në fytyrë dhe pankarta në duar ku shkruhej: “Qëndroni në Shtëpi”.

Kufiri supozohet të jetë i mbyllur për të gjithë, përveç disa bizneseve, por protestuesit akuzojnë se rregullat nuk po zbatohen rigorozisht.

Jose Luis Hernandez, një prej protestuesve, tha për mediat se: "Nuk ka ekzaminime shëndetësore nga qeveria federale që të merren me këtë pandemi. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu në Nogales. Ne kemi ndërmarrë këtë veprim për t'i bërë thirrje Presidentit Meksikan Andrés Manuel López Obrador për të vepruar urgjentisht".

Meksika ka më pak se 475 raste të konfirmuara me Covid-19 dhe 6 viktima, ndërsa SHBA mbi 75,000 raste dhe 1080 viktima. /A.R, Syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco