Ulen rastet e reja në Itali/ Pse u godit kaq rëndë ky vend

Ulen rastet e reja në Itali/ Pse u godit kaq rëndë ky vend

18:51, 24/03/2020

Italia regjistroi një tjetër numër të lartë vdekjesh, por lajmi i mirë është se këto tre ditë, numri i infeksioneve të reja është duke u ulur. Por përse u godit kaq shumë ky vend?

BBC

Italia- vendi më i prekur në botë, me 6820 vdekje të konfirmuara deri më tani- ka qenë në izolim prej kohësh, në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e infeksioneve nga Lombardia, rajoni më i goditur në veri.

Por përse u godit kaq shumë Italia nga kjo pandemi?

Pierluigi Cocco, një epidemiolog italian me qendër në Kaljari, i tha BBC se, ndërsa është akoma herët për të përcaktuar arsyet, ato mund të jenë disa.

“Një arsye mund të jetë gjenetike,” tha ai, duke shpjeguar se efektet e virusit mund të ndryshojnë mes grupeve të ndryshme etnike, sikundër edhe mes individëve të ndryshëm.

“Disa mund ta mbajnë virusin pa simptoma, të tjerë vdesin shpejt, me një variacion ashpërsie mes tyre”, tha ai.

Ai shtoi se Italia ka një nga numrat më të lartë të qytetarëve të moshuar në botë- të moshuarit janë përgjithësisht më të ndjeshëm dhe më të prirur për të zhviluar pasoja serioze pasi infektohen.

Ka edhe faktorë të tjerë kontribues, thotë ai, siç është qasja kulturore dhe sociale e italianëve, të cilët ‘preferojnë të takohen në grupe të mëdha dhe të shkëmbejnë shenja dashurie me njëri-tjetrin”.

Familjet gjithashtu kanë lidhje të ngushta, me brezat që shoqërohen së bashku.

Përveç kësaj, shto ai, një arsye e mundshme e niveleve të larta të vdekshmërisë në veri është ndotja e ajrit.

“Niveli i veprimtarisë industriale në atë zonë, shoqëruar me trafikun urban dhe veçoritë klimatike të Luginës Po, e përkeqësojnë ndotjen e ajrit, duke shtuar kështu rrezikun e përhapjes së sëmundjeve të frymëmarrjes, që i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj efekteve të Covid-19”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco