Itali, pandemia i merr jetën 30 priftërinjve, të përkushtuar në luftën kundër koronavirusit

Itali, pandemia i merr jetën 30 priftërinjve, të përkushtuar në luftën kundër koronavirusit

09:41, 24/03/2020
A+ Aa A-

Janë të paktën 30, meshtarët, që humbën jetën në Itali, për shkak të pandemisë Covid-19, 16 viktima vetëm nga dioqeza e Bergamos. Famullitarë, formues, njerëz të përkushtuar, njoftoi Vatikani.

Ndër të prekurit nga koronavirusi ka edhe shumë meshtarë. Disa janë në izolim, të tjerë në terapi intensive. Së paku 30 prej tyre kanë humbur jetën këto ditë, nga ndërlikimet, që sjell kjo sëmundje, Covid-19. E megjithatë, veçanërisht në këtë çast dramatik, meshtarët vijojnë ta sigurojnë praninë e tyre përkrah njerëzve.

Në Engjëllin e Tënzot të 15 marsit, edhe Papa Françesku u shprehu mirënjohjen më të sinqertë. Me atë rast, Ati i Shenjtë falënderoi “meshtarët, që mendojnë një mijë mënyra për t’u qëndruar pranë njerëzve, që ata të mos ndihen të braktisur”. Më 13 mars, gjatë meshës në shtëpinë e Shën Martës, Papa u lut që “Shpirti i Shenjtë t’u japë barinjve të Kishës aftësinë e shoshitjes baritore”. “Populli i Zotit - tha Françesku - të ndihet i shoqëruar nga barinjtë dhe nga ngushëllimi i Fjalës së Hyjit”.

Deri më sot, 23 mars

Kisha e Bergamos është në zi sot për vdekjen e një meshtari tjetër. Është fjala për don Fausto Resmini-n, 67 vjeç, i shtruar në terapi intensive në Komo, prej disa ditësh. Prift i të fundmëve, pati themeluar Bashkësinë Don Milani në Sorisole, që kujdesej për të miturit. Kapelan burgu, me kamperin e tij të shërbimit “Eksodi”, për vite me radhë, u çoi një pjatë të ngrohtë të pastrehëve të stacionit të Bergamos.

Dioqeza e Bergamos në zi

Vetëm në dioqezën e Bergamos, qytet i prekur seriozisht nga pandemia Covid-19, të paktën 16 meshtarë kanë humbur jetën nga pasojat e ndërlikimet që lidhen me koronavirusin. Imzot Tarcisio Ferrari ishte, për më se 30 vjet, famullitar i kishës së Shën Aleksandrit të Kryqit, në Bergamo. “Prej viteve të shumta, kaluar në këtë famulli – kujtonte me emocion, kohët e fundit - mbaj në zemër gëzimin e shugurimit të pesë meshtarëve të rinj e ndihmën, që u kam dhënë, shumë të varfërve dhe nevojtarëve. Pastaj, bujarinë e njerëzve, njohjen me shumë familje dhe përjetimin e shumë ngjarjeve e kremtimeve në këtë famulli të mrekullueshme”.

Don Mariano Carrara ishte i sëmurë prej kohësh, por, pavarësisht nga sëmundja, nuk e kishte ndalur punën e tij të çmuar në shërbim të bashkësisë së krishterë të Urgnano-s. Pas keqësimit të shëndetit, rezultoi pozitiv për koronavirusin dhe vdiq pasi u shtrua në spitalin “Papa Gjoni XXIII”. Imzot Achille Bellotti, si meshtar i ri, shërbeu si kapelan mes emigrantëve italianë në Belgjikë. Një temë, ajo e migracionit, e cila është gërshetuar me gjithë shërbimin e tij baritor. “Ka disa elemente - kujton Zyra e Migrantëve në dioqezën e Bergamos - që i dallojnë njerëzit, të cilët vijnë nga bota e fshatit: janë konkretë e të vendosur, por kanë edhe një lloj qetësie të brendshme. Don Achille u ushqye kështu nga familja e tij”.

Don Tarcisio Casali e kremtoi meshën deri disa ditë para vdekjes. “Unë jam prift - shkroi ai me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë - i cili ka jetuar që nga fillimi i Koncilit II të Vatikanit. Kanë qenë vite të paharrueshme, plot entuziazëm dhe shpresë, sepse në Kishë, filloi të agonte një ditë me dritë të shkëlqyeshme. Ishte vetëm aurora, por fillonin të prekeshin me dorë rrezet e para të diellit që lindte”. Don Silvano Sirtoli u lind në Bergamo në vitin 1960. “Jeta e tij - kujton don Mario Carminati, vikari ipeshkvnor për veprimtaritë ekonomike, i shuguruar bashkë me të - ishte Ungjill i jetuar, duke lënë shenja të mëdha kudo”. Don Giancarlo Nava shërbeu për disa vite në Paraguai. Në këtë vend, ku themeloi një shkollë formimi për fshatarët, u kërcënua pse denoncoi plagë si korrupsioni dhe trafiku i drogës dhe i armëve./vATICANNEWS

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco