Letra prekëse e vajzës që humbi nënën nga koronavirusi: E lamë vetëm! Nuk i çuam dot një lule...

Letra prekëse e vajzës që humbi nënën nga koronavirusi: E lamë vetëm! Nuk i çuam dot një lule...

08:36, 19/03/2020
A+ Aa A-

Një vajzë nga Firence ka shkruar letrën prekëse për nënën e saj, e cila ndërroi jetë për shkak të koronavirusit.

Mamaja e Alessandra Raggi ishte viktima e parë në qytet që shkoi e vetme në urgjencë dhe familjarët ishin larg saj me qëllim që të mos përhapej infeksioni.

Në letrën e publikuar në rrjete sociale, Alessandra tregon se është në pritje të lejes që të vizitojë varrin e nënës.

Letra e plotë

“Do të të sjell lule. Faleminderit. Faleminderit. I lexova dhe rilexova fjalët tuaja pafundësisht dhe kanë qenë në këto ditë të pafundme, oksigjen i pastër.

Po jetoj brenda një makthi surreal. Dhe besomëni, kush ka fatin ta jetojë nga “jashtë”, nuk e ka as idenë se çfarë do të thotë. E lashë mamanë time të shtunën mbasdite në urgjencë që më buzëqeshte dhe fliste, shumë të lodhur nga tre ditë me temperaturë dhe dizanteri. Nuk arritëm t’i qëndronim bashkë as unë, as im atë. Pastaj çdo gjë ndodhi brenda një momenti. Në dy të natës ra telefoni: ajo nuk ishte më. Kishte dalë pozitive me koronavirus. Në atë moment nisi karantina për ne familjarët. Ne të katërt, në shtëpinë tonë, babai në shtëpinë e tij, i vetëm.  Atë që dimë për mamin, që nga ai moment është se për një ditë, trupi i saj mbeti në morg dhe dy ditë më pas është mbështjellë me një çarçaf të bardhë (të vdekurit nga koronavirusi nuk vishen) dhe është shpënë në Trespiano, ku edhe po prehet. Një kryq prej druri ka shënuar fundin e udhëtimit të saj në tokë.

As lule, as lutje. Një e-mail do të na informojë se ku do ta gjejmë, nëse Zoti do të dojë që të dalim të gjallë nga ky burg.  Burgimi i një dhimbjeje dërrmuese që vjen jo vetëm nga zija, por edhe nga fakti se na u desh ta linim atje, vetëm, brenda një urgjence. Që nuk arritem ta shoqëronim, ta qanim dhe të luteshim mbi arkivolin e saj. Se nuk mundem t’i çonim as edhe nje lule. Burgimi i pamundësisë të të vrapuarit drejt babit për ta përqafuar, të mos pasjes mundësi të shohësh në sy një mik dhe t’i kërkosh ndihmë. Sepse në sytë e mi mbizotëron dhimbja dhe frika. Shpresoj që të dalim shëndoshë e mirë që të pestë dhe lutem për të gjitha familjet që kanë pësuar të njëjtën humbje si unë. Ka edhe një shaka të hidhur me ne.

As unë dhe as familja ime nuk i kemi kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria, madje i kemi respektuar. Edhe fëmijët e mi kanë qenë të përgjegjshëm që në momentet e para. I mbylla dyert e vendit tim magjik (librarisë) para se të ma kërkonte Conte. E bëra për të mbrojtur prindërit e mi, familjen time, komunitetin. Dhe si çmim mora humbjen e mamasë time, e cila ishte e para vdekje në Firenze. Për fat të mirë ka ëngjëj që më lënë dhurata, poezi, këngë, më urojnë mirëmengjesi dhe natën e mirë. Jeni dhe ju miqtë e mi virtualë e shumë të vyer. Falë të gjitha këtyre të mirave shtrëngoj dhëmbët për të mos u çmendur. Faleminderit. Ju përqafoj.  Dhe jini të sigurt. Ma premtoni!”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco