Greqia në alarm: Pritet mbyllja e kufirit tokësor me Turqinë

Greqia në alarm: Pritet mbyllja e kufirit tokësor me Turqinë

13:17, 28/02/2020
A+ Aa A-

Mediat greke kanë njoftuar para pak minutash se dogana greke në kufi me Turqinë po mbyllen, si në Kastania, për shkak të përqëndrimit në anën turke, të një numri të madh refugjatësh, që po prisnin të hynin në Greqi.

Forcat greke të Policisë po përforcohen me trupa shtesë për të parandaluar hyrjen e tyre. Sipas burimeve, Kryeministri grek Micotaqis ka njoftuar Kancelaren gjermane Angela Merkel për atë që po ndodh.

“Greqia ka intensifikuar ruajtjen e kufijve në kufijtë tokësorë dhe detare në masën më të madhe të mundshme,” tha një burim pranë Kryeministrit Kiriakos Micotaqis, pas trazirave të mëdha që po ndodhin në qytetin sirian Idlib ku gati një milion refugjatë janë zhvendosur. “Pas zhvillimeve në Idlib, Athina është në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Europian dhe NATO-n”, tha burimi i cituar nga Kathimerini.

Masa për të mbyllur kufirin shihet si një reagim i ligjshëm dhe i justifikuar ndaj vendimin që ka marrë Turqia për të hapur kufijtë e saj dhe lejuar vërshimin e refugjatëve drejt vendeve të BE-së.

Në përpjekje për të siguruar gatishmërinë më të lartë të mundshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë, Gjeneral Lejtnant Kostandinos Floros ka shkuar në pikën kufitare Evros për të mbikqyruar situatën. Me atë është edhe Ministri i Mbrojtjes Qytetare. Nga ana tjetër, Ministri i Politikave Detare dhe Ishujve, Janis Plakiotakis, ka shkuar në Mytilene.

Zhvillimet e fundit sipas mediave greke lidhen drejtpërdrejt me situatën në Siri dhe përpjekjen e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për të mbetur lojtari kryesor në Idlib, provincën në të cilën mbetën të vrarë më shumë se 33 ushtarë turq dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ajrore të Presidentit sirian Bashar al-Assad .

Image

Turqia i hap kufijtë refugjatëve sirianë që të shkojnë në Evropë, pas vrasjes së ushtarëve

“Turqia nuk do të ndalojë më tani e tutje, asnjë refugjat sirian që të shkojë në Evropë”, tha një zyrtar i lartë turk, pasi Ankaraja  njoftoi të premten vrasjen e 33 ushtarëve turq nga një sulm ajror në Siri, nga forcat qeveritare, në rajonin veriperëndimor Idlib.

Sulmi ka rritur mundësitë që Presidenti Erdogan të nisë një operacion në shkallë të gjerë kundër forcave qeveritare siriane të mbështetura nga Rusia.

Në pritje të një vale refugjatësh nga Idlib, policia turke, rojet bregdetare dhe oficerët e mbrojtjes së kufirit janë urdhëruar të rrinë larg vendkalimeve nga toka dhe deti të refugjatëve drejt Evropës, tha një zyrtar turk për Reuters.

“Ne kemi marrë vendim, me efekt të menjëhershëm, të mos i ndalojmë refugjatët sirianë t’i drejtohen Evropës nëpërmjet tokës apo detit”, tha zyrtari që kërkoi të mbetej anonim.

“Të gjithë refugjatët, përfshirë sirianët, janë të mirëpritur të kalojnë për në Bashkimin Evropian”.

Mediat turke treguan pamje të emigrantëve që kalonin nëpër fusha me çanta në shpinë. Reuters nuk qe në gjendje ta verifikonte vetë këtë fakt.

Agjencia e lajmeve Demiroren njoftoi se rreth 300 emigrantë, gra dhe fëmijë, po ecnin në drejtim të kufirit të Turqisë me Greqinë.

Erdogan ka përsëritur thirrjet kërcënuese se do të hapë kufijtë për emigrantët që ata të shkojnë në Evropë me synim që të tërheqë vëmendjen e fuqive perëndimore për situatën e krijuar në Idlib.

Përplasja: Vriten 33 ushtarë turq nga forcat siriane mbështetur nga Rusia, reagon NATO

Image

Të paktën 33 ushtarë turq janë vrarë në një sulm ajror nga forcat e regjimit sirian në veriperëndim të Sirisë, ka thënë një zyrtar I lartë turk.

Edhe më shumë u plagosën në provincën idlib, tha Rahmi Dogan, guvernator i provincës Hatay të Turqisë. Të tjera njoftime e japin edhe më të lartë numrin e të vrarëve.

Turqia më vonë u hakmor kundër objektivave qeveritare siriane, njofton BBC,

Forcat siriane të mbështetura nga Rusia po përpiqen të rimarrin Idlib nga rebelët që janë të mbështetur nga forcat turke.

Autoritetet siriane deri tani nuk kanë bërë asnjë koment publik mbi përshkallëzimin e situatës në Idlib , province e fundit siriane në duart e opozitës.

Ushtria turke filloi të godiste së fundi përsëri objektivat siriane pasi Presidenti Rexhep Taip Erdogan mbajti një takim urgjent të nivelit më të lartë të sigurisë në Ankara natën vonë të së enjtes.

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë Hulusi Akar dhe komandanti i lartë i Ushtrisë së Turqisë menjëherë shkuan në kufirin sirian për të drejtuar një valë sulmesh tokësore dhe ajrore kundër forcave të Presidentit Bashar al-Assad.

Presidenti Erdogan kërkon që forcat qeveritare siriane të tërhiqen mbrapsht nga pozicionet ku Turqia ka ngritur poste të vëzhgimit ushtarak dhe para kësaj ka paralajmëruar se do t’i sulmonte nëse nuk do ta ndalonin avancimin e tyre.

Por qeveria siriane dhe Rusia e kanë refuzuar kërkesën e tij për t’u tërhequr në vijat e armëpushimit që kanë rënë dakord në vitin 2018. Rusia e ka akuzuar Turqinë gjithashtu për shkeljen e armëpushimit të 2018 duke mbështetur rebelët me zjarr artilerie.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se së paku 34 ushtarë turq ishin vrarë të enjten në mbrëmje nga sulmet ajrore.

Të plagosurit u dërguan në Turqi për t’u kuruar, tha guvernatori Dogan.

Sekretari I Përgjithshëm I NATO-së, Jens Stoltenberg foli në telefon me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlut Cavusoglu, vend anëtar kyç i aleancës ushtare.

Stoltenberg dënoi sulmet ajrore nga regjimi sirian dhe mbështetësja e tij, Rusia në provincën idlib.

Një zëdhënës i departamentit Amerikan të Shtetit tha në një deklaratë: “Ne qëndrojmë pranë aleatit tonë të NATO-s dhe vazhdojmë të kërkojmë dhënien fund menjeherë kësaj ofensive nga regjimi i Assad , Rusia dhe forcat e mbështetura nga Irani. “Po shikojmë mundësitë se si mund ta mbështesim sa më mirë Turqinë në këtë krizë”.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres shprehu shqetësim të madh për përshkallëzimin e situatës dhe bëri thirrje për një pushim të menjëhershëm të zjarrit./ar.sh/SYRI.NET

NATO, takim të jashtëzakonshëm për sulmin ndaj ushtarëve turq në Siri

    Pas kërkesës së Turqisë, NATO do të zhvillojë sot një takim të jashtëzakonshëm për sulmet ndaj ushtarëve turq në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

    Të enjten vonë, të paktën 33 ushtarë turq ranë dëshmorë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror të forcave të regjimit të Asadit në zonën e de-eskalimit në Idlib.

    "Sot, Këshilli i NATO-s do të mblidhet me kërkesën e Turqisë për t'u konsultuar në bazë të nenit 4 të Traktatit të Washingtonit për situatën në Siri", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Twitter.

    Në shtator 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlibin në një zonë të de-eskalimit në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara shprehimisht.

    Por, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë në sulmet e regjimit dhe forcave ruse në zonë që nga atëherë, pasi armëpushimi vazhdon të shkelet.

    Zona e de-eskalimit aktualisht është vend strehimi i 4 milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.

    Më shumë se 1.7 milionë sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive.

    Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3.7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më shumë refugjatë të strehuar në botë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco