Përhapja e koronavirusit jashtë territorit kinez/ OBSH: Shqetësimi ynë më i madh

Përhapja e koronavirusit jashtë territorit kinez/ OBSH: Shqetësimi ynë më i madh

20:26, 27/02/2020
A+ Aa A-

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se shpërthimi i koronavirusit të ri jashtë Kinës përbën tashmë "shqetësimin më të madh".

Ndërsa është raportuar një rënie e numrit të rasteve të reja në Kinë për të ditën dytë me radhë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve në konferencën e tij të përditshme në Gjenevë se: "’ajo që po ndodh në pjesën tjetër të botës, përbën shqetësimin tonë më të madh", raporton VOA.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se bashkësia ndërkombëtare ndodhet "në një pikë vendimtare" dhe se "nëse veprohet në mënyrë agresive tani, virusi mund të përmbahet, mund të parandalohet që të tjerë njerëz të sëmuren e të shpëtohen jetë", siç tha ai.

Ndërkohë zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë botën janë përqendruar në marrjen e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) që ka infektuar të paktën 82,000 vetë në më shumë se 40 vende, që nga momenti i shfaqjes në Kinë në fund të muajit dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Uashingtoni lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me udhëtimet duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në Korenë e Jugut, vend që ka raportuar më shumë raste deri më tani pas Kinës. Autoritetet në Korenë e Jugut njoftuan të enjten 505 raste të tjera, që e çuan totalin e personave të prekur nga virusi në 1.766 vetë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe bëri thirrje për mbyllje të shkollave për disa javë. Gjithashtu u bë thirrje që njerëzit të shmangin tubimet e mëdha për anulim të ngjarjeve sportive ose zhvillimit të tyre pa spektatorë në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit. Japonia ka njoftuar rreth 200 raste, pa llogaritur më shumë se 700 të tjera që ndodhen në një anije kruz e futur prej javësh në karantinë në Jokohama.

Kryeministri Australian Scott Morrison njoftoi se qeveria e tij ka nisur zbatimin e një plani urgjent si reagim ndaj asaj që ai tha se ishte "kujdes i gjerë", por që lidhet dhe me frikën se përhapja e virusit mund të shdërrohet në pandemi.

"Bazuar në këshillat e ekspertëve, ekziston çdo tregues që bota së shpejti do të hyjë në fazën e pandemisë", tha zoti Morrison.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron vizitoi të enjten një spital në Paris, ku këtë javë një person humbi jetën si pasojë e virusit. Ai shprehu mbështetje për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Në Gjenevë, komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet paralajmëroi kundër diskriminimit të lidhur me virusin.

"Epidemia e koronavirusit ka nxitur një valë shqetësuese paragjykimesh ndaj atyre personave me përkatësi etnike kineze apo që vijnë nga lindja e Azisë. U bëj thirrje shteteve anëtare të bëjnë çmos për të luftuar këtë dhe format e tjera të diskriminimit", tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco