Konflikti në Siri/ Rebelët thonë se kanë rimarrë kontrollin në Idlib

Konflikti në Siri/ Rebelët thonë se kanë rimarrë kontrollin në Idlib

17:12, 25/02/2020
A+ Aa A-

Rebelët sirianë të mbështetur nga ushtria turke kanë rimarrë nën kontroll qytetin Nairab, në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë, thanë të martën zyrtarë turq dhe rebelët.

Forcat e presidentit sirian, Bashar al-Asad, të përkrahur nga sulmet ajrore ruse, po përpiqen të rimarrin rajonin e fundit të madh të mbajtur nga rebelët në Siri, pas nëntë viteve të konfliktit, raporton Rel.

Afro një milion sirianë janë shpërngulur nga luftimet e fundit.

Turqia është përgjigjur duke dërguar mijëra trupa dhe pajisje në rajon, për të mbështetur rebelët që t'i rezistojnë ofensivës.

"Me ndihmën e miqve tanë turq, ne kemi rimarrë kontrollin mbi qytetin strategjik të Nairabit, pas dëbimit të milicive terroriste ruse", tha Yusef Hamoud, zëdhënës i Ushtria Kombëtare Siriane (grupi rebel i përkrahur nga Ankaraja).

Një zyrtar turk tha për Reuters, se ushtria turke kishte mbështetur sulmin e rebelëve.

Ai tha se nuk pati përleshje midis forcave turke dhe ruse.

Dy javë më parë, ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se forcat e qeverisë siriane braktisën shkurt Nairabin, ndërsa rebelët e mbështetur nga Turqia përparuan në qytet. Sidoqoftë, rebelët u larguan më pas nga zona.

Që kur Turqia dërgoi forcat e saj në veri-perëndim të Sirisë për të ndaluar fushatën e forcave të qeverisë siriane, 17 anëtarë të forcave turke janë vrarë.

Luftimet kanë tensionuar lidhjet midis Turqisë dhe Rusisë, të cilat megjithëse mbështesin palët kundërshtare në konfliktin e Sirisë, kishin bashkëpunuar për të siguruar ndaljen e dhunës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco