Modernizimi i ushtrisë/ Trump njofton marrëveshjen ushtarake me Indinë

Modernizimi i ushtrisë/ Trump njofton marrëveshjen ushtarake me Indinë

17:02, 24/02/2020
A+ Aa A-

Gjatë vizitës së tij në Indi të hënën, Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’i shitur ushtrisë së Indisë helikopterë amerikanë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump mbërritën në qytetin Ahmedabad, ku u pritën nga kryeministri indian Narendra Modi, raporton VOA.

Më vonë, të dy udhëheqësit shkuan në stadiumin më të madh në botë të kriketit, ku ishin mbledhur më shumë se 100 mijë njerëz për të përshëndetur Presidentin Trump.

Presidenti Trump filloi fjalimin me përshëndetjen indiane "Namaste", që do të thotë përkulem para jush, dhe tha se India "gjithmonë do të ketë një hapësirë të veçantë në zemrat tona".

Ai vlerësoi Modin, marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë dhe tha se kishte plane për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve.

"Jam i kënaqur t’ju njoftoj se nesër përfaqësuesit tanë do të nënshkruajnë një marrëveshje për tiu shitur forcave të armatosura indiane helikopterë ushtarakë më të sofistikuar dhe pajisje të tjera me vlerë mbi tre miliardë dollarë."

Presidenti Trump dhe zonja e parë më vonë shkuan në Agra, ku vizituan pallatin e njohur të Taj Mahal-it, si pjesë e qëndrimit së tyre 36-orësh në Indi.

Megjithëse foli me optimizëm për një marrëveshje tregtare, Presidenti Trump kishte thënë përpara vizitës se një marrëveshje e re e madhe për tregtinë midis dy vendeve nuk do të jetë pjesë e kësaj vizite. Në fjalimin e tij, Kryeministri Modi përdori nota optimiste në lidhje me një marrëveshje të mundshme tregtare, duke thënë se lidhjet po zgjerohen në sfera të ndryshme, duke filluar nga mbrojtja, sektori i energjisë dhe teknologjia e informacionit, dhe se një Indi në ringjallje do të paraqiste mundësi të reja për Shtetet e Bashkuara.

Zoti Modi përshëndeti vizitën e Presidentit Trump duke thënë se ajo shënon një kapitull të ri midis dy vendeve. "Marrëdhëniet Indi-SHBA nuk janë më thjesht një partneritet i zakonshëm. Ato janë shumë më të mëdha dhe më të ngushta", tha ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco