Tragjedia në Edlib: SHBA u tërhoq, Evropa as iu afrua

Tragjedia në Edlib: SHBA u tërhoq, Evropa as iu afrua

08:15, 19/02/2020
A+ Aa A-

SHBA janë tërhequr gjerësisht nga Siria, Europa gati nuk u përzie ndonjëherë. Pasojat janë dramatike, edhe për vetë Europën, mendon Rainer Hermann nga gazeta Frankfurter Allgemeinen Zeitung.

Nga Rainer Hermann, FAZ

Në Idlib bota është dëshmitare e një katastrofe humanitare dhe megjithatë i mban sytë mënjanë. Janë pamje si ato nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, që duhej t'i shkundnin mirë njerëzit: Karavanë me refugjatë marrin rrugën nëpër borë dhe ngricë në drejtim të veriut, ndoshta në afërsi të kufirit turk. Vetëm me ca trasta nëpër duar.

Regjimi sirian i mbështetur nga avionët rusë dhe milicët proiranianë ndjek në këtë vend strategjinë e tokës së djegur. Avionët hedhin bomba plasëse mbi spitale dhe shkolla, tregje dhe pallate. Lagje të tëra janë shpopulluar. Mesazhi i qartë është: Këtu nuk duhet të ketë më jetë në ardhmen.

Si një rrafshues makineria siriane e luftës bën të marrin arratinë qindra mijëra qytetarë të pambrojtur. Organizatat humanitare vlerësojnë, se 290.000 syresh janë fëmijë. Çdo natë ngrijnë disa vetë. Por për regjimin sirian në këtë provincë gjithsekush është "terrorist”. Shumë banorë morën arratinë në Idlib në vitet e kaluara nga frika e regjimit të Asadit. Një vend tjetër, ku mund të gjenin strehë në Siri nuk kishin.

Poshtërimi rus i njeriut dhe frika turke

Me cinizëm udhëheqja ruse merr pjesë në këtë poshtërim të njeriut, që lejon në Idlib të bëjë atë që e praktikoi njëherë vetë në Groznin çeçen. Kurse regjimi i torturës në Damask po diskreditohet plotësisht. Kush kishte besuar, se mund të negociohej për të ardhmen politike në Siri me pushtetmbajtësit në Damask duhet ta ketë kuptuar tani përfundimisht naivitetin. Asad dhe ata që e mbështesin duan me bomba të krijojnë një vend, ku jetojnë vetëm sirianë luajalë nga ku janë dëbuar të gjithë ata që potencialisht do mund të krijonin trazira. Megjithkëtë Siria nuk ka për të pasur qetësi.

Ankaraja trembet, se gati çdo i dyti i gati katër milionëve sirianë në rajonin e Idlibit do të zbarkonte në Turqi, nëse hapen kufijtë. Prandaj kufiri është plotësisht i mbyllur. Sepse më shumë refugjatë do të destabilizonin këtë vend, edhe Europa vetë dëshiron dhe duhet të pengojë valë të re refugjatësh. Kjo tregon, se sa pushtet ka Rusia mbi Europën, kur, ashtu si në Libi, qëndron në një nga pikat kyçe të rrugëve të migrimit.

Të enjten presidenti Erdogan dhe ai rus, Putin biseduan edhe njëherë në telefon, por pa u afruar në qëndrime. Turqia ka filluar një lojë të rrezikshme dhe përpiqet me fuqi ushtarake të mbajë larg nga të 12 pikat e ashtuquajtura pikat vëzhguese. Ato u ngritën për të kontrolluar armëpushimin, për të cilin ranë dakord Rusia, Turqia dhe Irani në Idlib.

Ankesa të padëgjuara nga Gjermania

Turqia me këtë nuk i bën një shërbim vetes, por edhe Europës. E padëgjuar është në këtë kontekst, kritika, se në këtë operacion të forcave turke përdoren edhe armë gjermane. E kur Angela Merkel ofroi që për 100.000 refugjatët në Idlib të ngrihen shtëpiza të përballueshme për dimrin, një stuhi kritikash ra mbi të. Europa është sërish e pafuqishme dhe e pa gojë, megjithëse të gjitha vlerat, për të cilat kontinenti qëndron, janë duke u bombarduar brutalisht me bomba.

Shumë gjëra këtë moment të kujtojnë luftën e Jugosllavisë, kur Europa po ashtu rrinte duarkryq para masakrave serbe. Atëherë vrasjes masive i dha fund një ultimatum i diplomatit të fortë amerikan, Richard Holbrooke drejtuar diktatorit, Slobodan Milosheviç. Se çfarë ndodh, kur një fuqi e rendit si SHBA tërhiqet, këtë e tregon përditë tani mënyra si vepron regjimi sirian. Dhe Europa, e vetëemëruara mbrojtëse e të drejtave të njeriut, nuk bën gjë tjetër vetëm jep premtimin e borxhliut./DW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco