Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

A e bëri botën më të sigurt ky samit?

A e bëri botën më të sigurt ky samit?

12:07, 17/02/2020
A+ Aa A-

Nga Karina Moessbauer, BILD

Për herë të 56-të, rreth 500 vendimmarrës të nivelit të lartë nga politika, biznesi, shkenca dhe shoqëria civile; si dhe 25 krerë shtetesh dhe qeverish dhe 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, u takuan në hotelin ‘Bayerischer Hof’ në Mynih të Gjermanisë për të diskutuar për sfidat e kohës sonë.

Orë të tëra nëpër podiume, mbi 200 organizime zyrtare, 3 mijë takime bilaterale dhe multilaterale, dhjetëra evente anësore, shumë tryeza të rrumbullakëta. Dhe në fund, a pati përparim gjëkundi?

Multipolariteti në rritje, ndikimi në rënie i Perëndimit, rivaliteti nga lojtarë në rritje e kanë bërë botën më konfuze dhe më pak të menaxhueshme. Ekzistojnë gjithashtu probleme që mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunimin ndërkombëtar: ndryshimi i klimës, epidemitë, siguria kibernetike, përplasjet për lëndët e para në Arktik.

Prej vitesh po kërkohen strategji për të paqëtuar konfliktet e mëdha në Siri, Libi dhe Ukrainë. Por situata tejet komplekse në këto konflikte me interesa të ndryshme, ndonjëherë diametralisht të kundërta mes palëve të përfshira në luftë, nuk e ka bërë të mundur paqen.

Trupat e Assad vazhdojnë të bombardojnë shkollat dhe spitalet me ndihmën ruse. Milicitë iraniane mbështesin trupat e diktatorit sirian në tokë. Gjysma e popullsisë siriane tashmë është në arrati. Dhe Perëndimi i paralizuar po kërkon përgjigje. “Rusët besojnë në një zgjidhje ushtarake për Sirinë, ne në një zgjidhje politike,” tha një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane për BILD.

Sigurisht ka pasur shumë takime dhe është diskutuar për situatën e komplikuar në Libi. Por një marrëveshje e madhe për t’i dhënë fund situatës dramatike, nuk arriti të materializohej.

Në takimin e ministrave të Jashtëm për krizën libiane pati vetëm premtime boshe. Dymbëdhjetë vendet e përfaqësuara dhe tri organizata ndërkombëtare konfirmuan edhe njëherë që ata donin të zbatonin embargon e armëve- siç bënë katër javë më parë në Berlin.

Embargoja e armëve ekziston që nga viti 2011, por thyhet vazhdimisht. Shtetet pjesëmarrëse si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Rusia dhe Turqia vazhdojnë të dërgojnë luftëtarë dhe armatime. Kjo nuk ka gjasa që të ndryshojë pas Mynihut.

Një sukses i vogël i konferencës: kundërshtarët e dikurshëm në luftë, Kosova dhe Serbia, nënshkruan një deklaratë synimesh për të krijuar një lidhje automobilistike dhe me tren mes dy vendeve. Që nga lufta në Kosovë në fund të viteve ’90, nuk ka pasur pothuajse asnjë lidhje.

Edhe shefi i Konferencës së Mynihut, Wolfgang Ischinger thekson gjithashtu se përparimi duhet të shihet te detajet e vogla. “Përtej krizave të mëdha aktuale, nuk duhet të anashkalojmë për shembull që lidershipi i Azerbajxhanit dhe Armenisë, në konflikt prej 30 vitesh, dolën në skenë së bashku. Është një hap i madh drejt paqes në Kaukaz”.

“Përveç kësaj, Bashkimi Europian është zgjuar përsa i përket politikës së sigurisë dhe është në procesin e rishikimit të gjuhës së pushtetit,” shton Ischinger.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco