Koronavirusi në SHBA/ Konfirmohet rasti i parë i infektimit nga 'njeriu te njeriu'

Koronavirusi në SHBA/ Konfirmohet rasti i parë i infektimit nga 'njeriu te njeriu'

21:43, 30/01/2020
A+ Aa A-

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thanë të enjten se kanë konfirmuar transmetimin e parë nga një njeri tek tjetri të koronavirusit vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara.

Robert Redfield i Qendrës Amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) tha se një burrë që mori virusin kishte qenë në kontakt të ngushtë me gruan e tij, e cila kishte udhëtuar në Wuhan të Kinës, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit që ka vrarë 170 njerëz, raporton VOA.

Redfield tha se çifti është banorë në qytetin e Çikagos. Burri nuk kishte shkuar në Kinë me gruan e tij. Ky është rasti i gjashtë i koronavirusit në SHBA - me pesë nga rastet që përfshijnë njerëz që u kthyen në Sh.B.A pasi kishin udhëtuar në Kinë.

Sipas Washington Post-it, të enjten, Shtetet e Bashkuara njoftuan fluturime të reja për në Wuhan për të evakuuar amerikanët që janë akoma në qytet.

Disa vende kanë evakuuar shtetasit e tyre nga Wuhan. Linjat ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet direkte për në Kinë.

Presidenti Trump informohet për koronavirusin

Presidenti Donald Trump u informua për shpërthimin e koronavirusit nga ata që ai i quan "agjensi të mëdha" që punojnë me Kinën.

"Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë zhvillimet. Kemi ekspertët më të mirë në botë dhe ata janë në krye të situatës 24/7," tha presidenti në Twitter.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se po konsideron kufizime të mëtejshme për linjat ajrore amerikane që fluturojnë për në Kinë, përveç kufizimeve vullnetare nga disa kompani ajrore. Akoma nuk është vendosur nëse do të vihet një ndalim udhëtimi.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se asnjë nga 195 pasagjerët amerikanë të evakuuar të mërkurën nga Wuhan nuk patën simptoma të koronavirusit. Ata do të qëndrojnë në një bazë ushtarake amerikane në Kaliforni të paktën deri në fund të javës.

CDC tha që rreziku për amerikanët është i ulët dhe se po punon me OBSH-në për të çuar një ekip amerikan në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco