Ligji i ri rus/ REL-i regjistrohet si ‘agjent i huaj’

Ligji i ri rus/ REL-i regjistrohet si ‘agjent i huaj’

17:20, 24/01/2020
A+ Aa A-

Shërbimi i Rusisë i Radios Evropa e Lirë u paraqit te Shërbimi Federal i Taksave në Rusi për t'u regjistruar si "agjent i huaj" në përputhje me ligjin e atjeshëm.

"Këtë javë i kemi dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme tek autoritetet tatimore të Rusisë. Paraprakisht i kemi marrë të gjitha qartësimet e nevojshme nga Ministria e Drejtësisë sa i përket procesit të regjistrimit", tha drejtori i shërbimit rus të REL-it, Andrei Shary.

Ai tha se Ministria i ka thënë se një regjistrim i mbulon të gjitha projektet e Radios Evropa e Lirë që operojnë në territorin rus.

Rusia ka miratuar ligjin fillestar për agjentët e huaj - i cili u kërkon të gjitha organizatave joqeveritare që marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen - në vitin 2012, pas një vale të protestave anti-qeveritare.

Në dhjetor, presidenti rus, Vladimir Putin, e nënkshkroi një amendament të ligjit, i cili i etiketon si agjentë të huaj edhe gazetarët që punojnë për media të regjistruara si agjente të huaja.

Atëbotë, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, e ka kritikuar fuqishëm amendamentin.

"Radio Evropa e Lirë punon me qindra korrespondentë rusë në të gjithë vendin, që janë shpëtim për komunitetet lokale, të privuara nga lajmet, dhe që trajtojnë çështje të rëndësishme, që injorohen nga media shtetërore. Por, me këtë ligj (të amendamentuar), ata mund të konsiderohen, në mënyrë absurde, 'agjentë të huaj'", ka thënë Fly.

Zyrtarët rusë thonë se ligji është një "përgjigje simetrike", pasi kanalit të financuar nga shteti rus RT - të cilin autoritetet amerikane e akuzojnë për përhapje të propagandës - i është kërkuar të regjistrojë njësinë e tij operative në SHBA nën Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së.

Kritikët thonë se ligji rus mund të shfrytëzohet për të kufizuar lajmet dhe për të shkurajuar shkëmbimin e lirë të ideve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco