Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

I dyshuari si spiun i Kinës punoi 30 vjet për Bashkimin Evropian

I dyshuari si spiun i Kinës punoi 30 vjet për Bashkimin Evropian

16:26, 18/01/2020
A+ Aa A-

Ish-ambasadori i BE i dyshuar nga prokurorët gjermanë si spiun i Kinës ishte Gerhard Sabathil, sipas zyrtarëve të BE të cilët folën në kushte anonimati për EU Observer dhe për Washington Post. 

Gjermano-hungarezi ka shërbyer si i dërguar i BE në Korenë e Jugut, Gjermani, Islandë e Norvegji para se të punonte për Eutop, një firmë lobuese me dimensione mesatare me zyra në Bruksel, Berlin e Munih, më 2017, i përmendur si “drejtor menaxhimi” në faqen e firmës në internet deri dje, e premte 17 janar.

Ai ka qenë edhe i ngarkuar me punë i shërbimit të jashtëm të BE në Bratislavë e Pragë, dhe drejtor i shërbimit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Ka punuar në Komisionin Evropian në departamentet për Ballkanin Perëndimor, konkurrencën, industrinë dhe buxhetin, si dhe ka dhënë mësim në Kolegjin e Bryzhit, një akademi elitare. Një karrierë në BE e shtrirë në më tepër se 30 vjet, siç thuhet në biografinë e tij në Eutop.

Lajmi se një ish-ambasador i BE dyshohej për dhënie sekretesh komerciale spiunëve kinezë fillimisht doli në revistën gjermane Der Spiegel të mërkurën, por revista nuk përmendi emra. Nga ana e saj, Eutop refuzoi të jepte detaje kontakti të Sabathil për EUobserver.
Një firmë avokatie që përfaqëson firmën lobuese tha: “Rrethanat (hetimi gjerman) e përshkruara nga ju nuk hyjnë në aktivitetin e klientit tonë, kështu që nuk ka arsye që klienti ynë të bëjë komente”.

Eutop ka 16 të punësuar në zyrën e Brukselit, e cila fiton rreth 2.8 milion euro në vit, duke përfaqësuar klientë të mëdhenj si British American Tobacco, Deutsche Telekom, General Electric, Pricewaterhouse Coopers.

Ndërkaq, shërbimi i jashtëm i BE tha se ishte i gatshëm të punonte me autoritetet belge apo gjermane, të cilët bënë kontrolle në selitë në Bruksel e Berlin në lidhje me këtë çështje. Një zëdhënëse e shërbimit të jashtëm bëri të ditur se asnjë ndërtesë e BE nuk ishte kontrolluar.

"Si çdo shërbim diplomatik, ne e dimë që mund të jemi objektiv i shërbimeve inteligjente armiqësore ndaj marrim masa për t’u mbrojtur”, shtoi ajo.

Shërbimi i jashtëm i BE ka një “celulë speciale” e cila trajnon stafin në Bruksel e gjetkë për të qenë të kujdesshëm për çështje të tilla si përdorimi i medias sociale.
"Stafi informohet dhe sensibilizohet për këtë rrezik”, tha ajo.

Si shërbimi i jashtëm i BE edhe Kolegji i Evropës i hoqën linqet për Sabathilin në faqet e tyre në internet në të njëjtën ditë, shenjë e dëmit që mund të shkaktojë kjo çështje në marrëdhëniet me publikun.

"Zoti Gerhard Sabathil ka dhënë mësim në departamentin e studimeve politike dhe qeveritare për një periudhë të shkurtër ndërsa punonte për EEAS [Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm], por... ai nuk ka më lidhje me Kolegjin e Evropës”, tha akademia në një komunikatë për shtyp.

Dyer që rrotullohen

Zyrtarë të lartë të BE shpesh punojnë për firma lobuese në Evropë, një praktikë që njihet si “dyer që rrotullohen”  nga OJQ pro-transparencës, të cilat thonë se kjo përbën një rrezik për sigurinë e informacionit të BE dhe në ushtrimin e influencës.

Në të njëjtën kohë, shërbimi i jashtëm i BE ka vlerësuar se janë rreth 250 spiunë kinezë e 200 rusë në Belgjikë, sipas qarkoreve të brendshme të para nga e përditshmja gjermane Die Welt.

Shërbimet inteligjente belge janë përgjegjëse për mbrojtjen e institucioneve ndërkombëtare atje. 

Por dy shërbimet belge të spiunazhit, VSSE dhe ADIV, kanë pak më tepër se 30 oficerë kundërzbulimi që hetojnë spiunazhin rus e kinez, sipas një burimi belg të sigurisë që ka folur më herët me EU Observer.

https://euobserver.com/foreign/147184

Dhe vetë shërbimi i jashtëm i BE ka vetëm pesë ekspertë kombëtarë për të ndihmuar kundër-spiunazhin, shtoi burimi i BE.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco