Pozicionimi i palëve/ Çfarë fshihet pas luftimeve në Libi?

Pozicionimi i palëve/ Çfarë fshihet pas luftimeve në Libi?

10:53, 17/01/2020
A+ Aa A-

Këto ditë mund të keni dëgjuar sërish për përplasjet e armatosura në Libi. Ndoshta nuk jeni përqendruar shumë, pasi edhe vetë historia është shumë e komplikuar. Më poshtë është një sqarim i thjeshtë për një konflikt të ndërlikuar

Nga Hanan Razek, BBC

Libia është tashmë një rajon konfliktesh vdekjeprurëse dhe së fundmi, steka është ngritur shumë lart, me gjithmonë e më shumë vende të përfshira.

Është Turqia, Egjipti, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca.

Duket e komplikuar? Në fakt është.

Më lini ta sqaroj më mirë për ju.

Le të nisim me lajmet më të fundit. Turqia do të dërgojë trupa në Libi. Dhe ja ku është lajmi i madh. Trupat përfshijnë sirianë. Po, më kuptuat tamam.

Sipas burimeve të BBC në Tripoli, luftëtarët rebelë sirianë, të rreshtuar në krah të Turqisë, janë dërguar në Libi.

Ankaraja thotë se përkrahja ushtarake e saj nënkupton ndihmë për qeverinë e mëbshtetur nga OKB në perëndim të vendit, të udhëhequr nga kryeministri Fayez al-Serraj.

Në anën tjetër, kontraktorët ushtarakë rusë kanë mbështetur palën tjetër, administratën libiane në lindje, të udhëhequr nga forcat rebele të gjeneralit Khalifa Haftar.

Njësoj si rasti i Sirisë, Turqia dhe Rusia janë në kahet e kundërta. Implikimi i këtyre dy vendeve në Libi është thelbësor për të pasur ndikim në të ardhmen, por edhe që të konsiderohen si fuqi të mëdha në rajon.

Ka një grup të tërë me shtete që kanë interesa të ndryshëm dhe që janë përfshirë në Libi.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jordania janë në anën e gjenerali Haftar, duke i ofruar trupave të tij rebele armë dhe mbështetje logjistike.

Katari është në anën tjetër, duke ofruar suport për qeverinë e mbështetur nga OKB, së bashku me aleatin e saj, Turqinë.

Ky rivalitet shtrihet thuajse në çdo konflikt tjetër që kemi në rajon.

Për Egjiptin, fqinjin lindor të Libisë, bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare, nga frika se lufta do të transferohet përtej kufijve.

Duket e komplikuar që tani? Prit se ka akoma më shumë.

Franca, e cila ka lidhje historike me Libinë, ka ndërhyrë për të ndihmuar gjeneralin Haftar.

Italia, ish-sundimtarja koloniale e Libisë, përplaset me Francën, dhe i ofron mbështetjen e saj qeverisë së mbështetur nga OKB të Serraj.

Dhe SHBA nuk është larg kësaj skene të komplikuar, sigurisht. Ajo operon mbi Libi kundër mbetjeve të të ashtuquajturit Shteti Islamik, të cilët u përhapën në vend në mesin e këtij kaosi.

Por përse u bëhet vonë këtyre vendeve? Pse duhet të shqetësohet bota?

Për shumë arsye. Libia ka rezervat e naftës më të mëdha në Afrikë dhe është lojtar kyç në tregun e gazit natyror.

Vendi po ashtu është një portë kryesore e emigracionit afrikan drejt Europës, përmes rreth 2 mijë kilometra vijë bregdetare në Detin Mesdhe.

Dhe, ngritja e Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera militante është një makth, jo vetëm për vendet fqinje.

Me kaq shumë shtete sa përmenda, dhe të tjerë që nuk i kam prekur, konflikti i Libisë ka kaq shumë shtresa, dhe zor se do të zgjidhet shpejt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco