Përse peshkatarët po gjejnë kaq shumë ‘nëndetëse spiune’

Përse peshkatarët po gjejnë kaq shumë ‘nëndetëse spiune’

10:47, 16/01/2020
A+ Aa A-

Nga Owen Amos, BBC

Në fillim mund të duket si një titull i çuditshëm: ‘Kina shpërblen peshkatarët që kapën në rrjeta pajisjet e huaja spiune’.

Por pas këtij titulli në mediat shtetërore kineze, ekziston një histori tjetër- edhe më intriguese.

Fillimisht, nuk janë vetëm një ose dy peshkatarë që kanë marrë çmim. Janë 11 në total- një grua, të tjerët burra- që kanë gjetur gjithsej shtatë pajisje.

Së dyti, nuk është hera e parë që peshkatarët ng Jiangsu kanë gjetur të tillë ‘dronë spiunë’. Në vitin 2018, nja 18 u shpërblyen për gjetjen e nëntë pajisjeve. Edhe një vit më parë pati një ceremoni.

Dhe së treti, shpërblimet janë të mëdha- deri në 72 mijë dollarë- rreth 17 herë të ardhurat mesatare të disponueshme në Kinë.

Por nga vijnë këto ‘nëndetëse spiune’? Çfarë bëjnë? Pse janë të vlefshme?

Dhe, përse peshkatarët kinezë po gjejnë kaq shumë?

Jiangsu është një provincë në Kinën Jugore, me një vijë bregdetare prej 1 mijë kilometrash.

Ajo është përballë me Japoninë dhe Korenë e Jugut, ndërsa Tajvani është 500 milje në jug. Kjo gjeografi- dhe prezenca e madhe e SHBA në rajon- fillon të shpjegojë se përse peshkatarët i gjejnë këto pajisje.

Kina nuk ka treguar se nga vijnë këto pajisje, thjesht thotë se janë prodhuar në vende të tjera.

Por eksperti rajonal dhe këshilltari Alexander Neill thotë se ‘me shumë gjasë vijnë nga marina amerikane, nga forcat japoneze të vetëmbrojtjes ose nga Tajvani- kjo është një zonë me rivalitet të madh’.

Atëherë, çfarë shpresojnë të mësojnë amerikanët, japonezët apo tajvanezët?

Në vitin 2009, marina amerikane sponsorizoi kërkime për dronët nënujorë, të njohur me akronimin UUV. Studimi rekomandoi shtatë mënyra se si mund të përdoreshin UUV, duke përfshirë:

-Ndjekjen e nëndetëseve kundërshtare.

-Kërkimin për bomba nënujore.

-Vendosjen e pajisjeve të mbikëqyrjes.

-Monitorimin e infrastrukturës nënujore, të tilla si kabllot e komunikimit.

Hulumtimi nxori në pah edhe pikat e forta të UUV. Gliders- një UUV e vogël, nga ajo që me shumë gjasë u gjet nga peshkatarët kinezë- mund të punojë për muaj të tërë dhe nuk shpenzon shumë.

Sa për ta sqaruar, e lirë do të thotë ‘vetëm dhjetëra mijëra dollarë’.

Kostoja, distanca dhe kapaciteti nënkupton se ‘nëndetëset spiune’ janë gjithmonë e më të rëndësishme. Neill vlerëson se numri i tyre në të gjithë botën i kap qindra.

Kjo shpjegon- pjesërisht- pse po ngecin në rrjetat kineze. Vendi ka një flotë të madhe peshkimi dhe ligji i statistikave sugjeron se dronët do të bien në rrjetë me raste.

Por është po kaq e vërtetë se flota e Kinës është e ndryshme nga vendet e tjera. Disa peshkatarë janë vetë pjesë e ushtrisë dhe kjo shpjegon se përse janë të aftë të gjejnë pajisje ushtarake.

Milicia Detare Kineze është pjesë e ushtrisë- në fakt janë rezervat civile.

Është një strukturë unike dhe pak e njohur për publikun, thotë profesori Andrew S. Erickson nga Kolegji i Luftës Detare në SHBA- por ushtria amerikane e njeh mirë.

Sipas një raporti të vitit 2017 nga Departamenti i Mbrojtjes në SHBA, kjo strukturë ka luajtur një rol të rëndësishëm në një numër fushatarsh ushtarake dhe incidentesh në vitet e fundit.

Në të shkuarën, kjo njësi ka marrë me qira anije nga kompanitë dhe peshkatarët. Tashmë, Kina po ndërton vetë një flotë peshkimi në pronësi të shtetit për këtë njësi ushtarake.

Në të vërtetë, Neill thotë se shumë anije thjesht maskohen si anije peshkime, kur në fakt bëjnë mbikëqyrje detare kundër rivalëve të Kinës.

Kjo flotë peshkimi mund të sigurojë një linjë mbikëqyrje të nivelit të parë – një forcë ushtarake që vepron nën mantelin e civilëve.

Kina nuk gjen vetëm dronët nënujorë- ajo vetë ka të tillë.

Në paradën e 70-vjetorit të Republikës Popullore të Kinës u zbulua një UUV i madh, ndoshta i aftë për të lëshuar dronë më të vegjël.

Edhe pse origjina nuk u konfirmua, ekspertët dyshojnë se është pjesë e kontrollit nënujor të Kinës- i ashtuquajturi ‘Muri i Madh Nënujor i Kinës”.

Por ndërsa teknologjia UUV po zhvillohet, gjithmonë e më shumë peshkatarë- në Kinë, Indonezi e kudo- duhet të presin që të gjejnë më shumë dronë.

“Këto dronë janë duke e shtrirë gamën e aftësive për mbikëqyrje në rajon,” thotë Neill.

Dhe- siç kanë zbuluar fituesit e çmimeve në Jiangsu- ato mund të jenë një plaçkë me vlerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco