Rrëzohet ‘Muri i Kuq’ në Britani, Corbyn fajëson median

Rrëzohet ‘Muri i Kuq’ në Britani, Corbyn fajëson median

09:04, 13/12/2019

Konservatorët e Boris Johnson shënuan një rezultat spektakolar në zgjedhjet e një dite më parë në Britaninë e Madhe, duke hapur rrugën për të nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian.

Kurse Laburistët e Jeremy Corbyn shënuan një nga humbjet më të rënda për shumë dekada.

Johnson ia doli që të rrëzojë edhe atë që njihet si Muri i Kuq, një referencë për zonat e majta në vend.

Shumë bastione të laburistëve për dekada të tëra ranë në duart e Konservatorëve.

Laburistët humbën bastione të tilla si Ashfield dhe Bishop Auckland. Ata humbën edhe në Sedgefield, zona e Tony Blair. Dennis Skinner humbi postin në parlament për herë të parë pas 49 vitesh.

Pak pas mesnate nisi të qartësohej se Laburistët po humbisnin Murin e Kuq, kur u mësua se kishin humbur në Blyth Valley, një zonë që e kontrollonin prej vitit 1950.

Rezultati i dobët shihet si një goditje për liderin Jeremy Corbyn. Ai tha se do japë dorëheqje nga drejtimi i Laburistëve deri në momentin kur të zgjidhet zëvendësuesi. Disa kanë bërë thirrje që të largohet menjëherë.

Megjithatë, Corbyn nuk mori përsipër fajin për këtë rezultat katastrofik. Ai akuzoi median për sulmet e shpifura ndaj tij. Corbyn tha se platforma e tij e politikave të ekstremit të majtë ishte thellësisht popullore.

Fitorja e Johnson është pritur me entuziazëm edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco