Protesta paralizojnë Francën prej 4 ditësh/ Macron nuk dorëzohet, vazhdon reformën e pensioneve

Protesta paralizojnë Francën prej 4 ditësh/ Macron nuk dorëzohet, vazhdon reformën e pensioneve

20:12, 09/12/2019
A+ Aa A-

Presidenti francez Macron është i vendosur t'i përmbahet rrugës së nisur për reformat e pensioneve, megjithë bllokimin e transportit nga grevat e vazhdueshme në vend. Planet do të prezantohen më vonë këtë javë.

Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe kryeministri Edouard Philippe, u mblodhën me ministrat e kabinetit  të dielën në mbrëmje, për të avancuar reformat e propozuara të qeverisë për pensionet, raporton DW.

Kjo megjithëse prej katër ditësh vazhdojnë protesta, që kanë bllokuar transportin publik të vendit.

Sindikatat e Francës, të cilat pretendojnë se reformat do të detyrojnë shumë njerëz të punojnë më gjatë për një pagesë më të vogël në pension, e filluan protestën e tyre të enjten. Greva masive bllokoi udhëtarët, mbylli disa shkolla dhe goditi turizmin në Paris dhe në rajone të tjera.

Macron, një ish-bankier investimesh, argumenton se rregullimi i pensionit do ta bëjë sistemin aktual të pensionit, i cili është i ndërlikuar, i vjetëruar, më të ndershëm dhe të qëndrueshëm financiarisht, duke shkrirë 42 plane të ndryshme për pagesat e pensioneve në një.

Qeveria thotë se nuk do ta ndryshojë moshën zyrtare të daljes në pension në 62 vjeç, por plani i ri pritet të përfshijë kushte financiare për të inkurajuar njerëzit të punojnë më gjatë, meqenëse jetëgjatësia është shtuar.

Plani i ri i daljes në pension do të prekë të gjithë punonjësit francezë, por grevat janë shtrirë kryesisht te punëtorët e sektorit publik, midis tyre te shoferët e trenave, mësuesit dhe punonjësit e spitaleve.

Jean-Paul Delevoye, koordinatori i Macronit për reformat e pensioneve ka vendosur ta zbulojë rezultatin e konsultimeve prej muajsh të hënën, ndërsa  hollësitë përfundimtare të planit do të shpallen të mërkurën.

Ditën e parë, në rrugë dolën në protestë rreth 800.000 njerëz kundër planit për të prezantuar një skemë të vetme pensionesh, të bazuar në pikë, për punonjësit në të gjithë sektorët ekonomikë.

Të dielën udhëtarët përjetuan një kaos më të madh udhëtimesh, pasi shumica e trenave francezë nuk qarkulluan. Katërmbëdhjetë linja të metrosë në Paris qëndruan të mbyllura, ato që funksionuan qenë vetëm dy linja trenash automatikë pa drejtues. Ndërprerje pati edhe në itinerarët ndërkombëtare të trenave.

Tre sindikatat kryesore të hekurudhave që kanë bërë thirrje për aksionin, kërkojnë që protesta të rritet, përpara një greve tjetër të përgjithshme dhe protestave masive të martën.

"Në ditët në vijim, ne rekomandojmë t'i shmangeni transportit publik", thuhet në faqen e internetit të kompanisë publike të trenave, tramvajeve, autobusëve dhe metrosë RATP, të përdorur çdo ditë nga rreth 10 milion njerëz në Paris e rrethina për të shkuar në punë.

Aktivistët jelekverdhë iu bashkuan protestave të shtunën, duke e shtuar reformën e pensioneve në listën e tyre të ankesave ekonomike për protestat në të gjithë vendin. Policia përdori gaz lotësjellës kundër protestuesve të paqetë në marshime kryesisht të qeta përmes Parisit dhe qytetit perëndimor Nantes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco