Pentagoni ‘shuan zërat’ në Koren e Jugut: Nuk ka tërheqje të forcave amerikane nga gadishulli korean

Pentagoni ‘shuan zërat’ në Koren e Jugut: Nuk ka tërheqje të forcave amerikane nga gadishulli korean

20:46, 21/11/2019
A+ Aa A-

Pentagoni po kundërshton njoftimin, se Shtetet e Bashkuara po përgatiten të tërheqin forcat ushtarake nga Koreja e Jugut.

Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Jonathan Hoffman, tha të enjten se nuk ka “absolutisht asnjë të vërtetë” në njoftimet se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë tërheqjen e ndonjë njësie ushtarake nga gadishulli korean, raporton VOA. 

Gazeta konservatore koreanojugore Chosun Ilbo citoi një “burim diplomatik në Uashington” të ketë thënë se ushtria amerikane po “përgatitet të tërheqë një brigadë” nga gadishulli, nëse nuk arrihet progres në negociatat rreth pagesës për praninë e forcave amerikane në Korenë e Jugut.

Një brigadë ushtarake amerikane përbëhet zakonisht nga 2 mijë deri në 4 mijë ushtarakë.

“Sekretari Esper ishte në Korenë e Jugut javës që kaloi, ku ai përforcoi në mënyrë të përsëritur përkushtimin tonë të palëkundur ndaj Republikës së Koresë dhe popullit të saj”, tha zoti Hoffman. “I kërkojmë (gazetës) Chosun Ilbo të tërheqë menjëherë artikullin e saj”.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut u ndërprenë të martën, prej kërkesës së Uashingtonit, që Seuli të rrisë kontributin financiar për forcat ushtarake amerikane në territorin korean.

Negociatori koreanojugor Jeong Eun-bo u tha gazetarëve se pala amerikane u largua pas një sesioni të shkurtër. Negociatori amerikan James DeHart tha se ekipi i tij u largua pasi propozimet e paraqitura nga koreanët “nuk i përgjigjeshin kërkesës sonë për një ndarje të drejtë dhe të barabartë të barrës”.

Aktualisht, Seuli paguan vetëm rreth 890 milionë dollarë për të përballuar një pjesë të kostos së mbajtjes së rreth 28.500 forcave amerikane në Korenë e Jugut, për të mbrojtur vendin nga një sulm i mundshëm nga Koreja e Veriut.

Zyrtarët koreanojugorë thonë se administrata Trump dëshiron ta rrisë këtë shumë deri ndoshta në nivelin e 5 miliardë dollarëve.

Presidenti amerikan Donald Trump është ankuar prej kohësh se vendet aleate të Shteteve të Bashkuara nuk i kanë paguar mjaftueshëm Uashingtonit për bazat dhe forcat që përdoren për mbrojtjen e tyre.

Sekretari i Mbrojtjes Esper tha gjatë vizitës së tij në Seul javën e kaluar se Koreja e Jugut është “një vend i pasur që i ka mundësitë dhe që duhet të paguajë më shumë për të përballuar koston e mbrojtjes”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco