Akuzat/ Ushtria britanike ka fshehur krimet e luftës në Irak e Afganistan

Akuzat/ Ushtria britanike ka fshehur krimet e luftës në Irak e Afganistan

11:03, 17/11/2019
A+ Aa A-

Qeveria e Britanisë së Madhe dhe forcat e armatosura të këtij vendi janë akuzuar për fshehjen e vrasjes së civilëve nga trupat britanike në Afganistan dhe Irak.

Hulumtuesit e televizionit “BBC” dhe të gazetës “Sunday Times” kanë biseduar me 11 hetues britanikë, të cilët thanë se kanë gjetur dëshmi të besueshme për krime të luftës. Ata thonë se ushtarët britanikë do të duhej të gjykoheshin për vrasje civilësh.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, e cila ka thënë se i ka refuzuar disa dyshime të pabaza për fshehje të krimeve.

Këto dëshmi janë paraqitur nga ekipi për hulumtime historike në Irak, i cili u mor me hetimin e krimeve të luftës, të kryera nga trupat britanike gjatë pushtimit të Irakut. Një grup tjetër, i quajtur “Operation Northmoor”, i hetoi krimet e luftës në Afganistan.

Qeveria britanike vendosi ta ndërpresë punën e këtyre ekipeve pasi u raportua se një avokat kishte paguar njerëz në Irak për të gjetur klientë që do të dëshmonin për krime lufte.

Megjithatë, ish-hetuesit që punuan në këto grupe thanë se veprimet e avokatit u përdorën si justifikim për t’i mbyllur hetimet ndaj ushtrisë. Asnjëri rast i hulumtuar nga këta hetues nuk u shndërrua në hetim zyrtar nga gjykatat.

Një ish-hetues tha se viktimat e krimeve të luftës janë lënë anash keqas. “Unë e përdor fjalën neveritëse. Më vjen keq për familjet e tyre, sepse ata nuk po marrin drejtësi. Si mund ta mbajmë kokën lart si britanikë në këtë rast”, tha ai.

Grupet hulumtuese për hetimin e krimeve të mundshme në Lindje të Mesme ishin formuar nga qeveria britanike në vitin 2014 dhe deri më tash i kanë trajtuar 52 vrasje të dyshimta. Megjithatë, ato u shpërbënë para se hetuesit policorë t’i merrnin në pyetje dëshmitarët afganë, shkruan “BBC”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco