Takimi i ngrohtë Trump-Erdogan dhe marrëdhëniet e ftohta SHBA-Turqi

Takimi i ngrohtë Trump-Erdogan dhe marrëdhëniet e ftohta SHBA-Turqi

20:08, 14/11/2019
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takuan në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, por nuk arritën zgjidhje për mosmarrëveshjet kryesore në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë operacionet e fundit ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë dhe blerjen nga Ankaraja të pajisjeve ushtarake ruse.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara sjellë hollësitë.

Një pritje e ngrohtë për Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan nga Presidenti Donald Trump, në një kohë kur ka një ftohje të marrëdhënieve SHBA - Turqi.

"Ne kemi qenë miq për një kohë të gjatë, pothuajse që nga dita (ime) e parë (në detyrë)", tha Presidenti Trump.

Vizita u bë në një kohë kur Ankaraja po përballet me reagimet e kongresit për përfshirjen e saj në Sirinë veriore dhe sulmet ndaj forcave kurde në tetor. Ende nuk është e qartë nëse ka një armëpushim të përhershëm mes forcave kurde dhe Turqisë. Kurdët janë aleatë të Amerikës në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ofensiva e Turqisë shënoi një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Uashingtonin.

"Marrëdhëniet janë përkeqësuar shumë, siç u dëshmua edhe në votimet në Dhomën e Përfaqësuesve, si për rezolutën mbi gjenocidin ndaj armenëve, ashtu edhe në rezolutën Engel – McCaul, e cila përfshinte sanksione kundër Turqisë për ndërhyrjen e saj në veri të Sirisë. Por, kjo po ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes dy udhëheqësve janë në pikën më të lartë që kanë qenë ndonjëherë", tha Bulent Aliriza, ekspert për Turqinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Për çështje të sigurisë, Turqia, një aleat i NATO-s, po i drejtohet Rusisë, përfshirë blerjen e saj të fundit të sistemit të mbrojtjes raketore S-400.

Në shenjë hakmarrjeje, administrata e Presidentit Trump ndaloi shitjen e avionëve amerikanë F-35 për Ankaranë.

Asnjëri nga dy udhëheqësit nuk dha hollësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje të mërkurën, por para vizitës Turqia kishte kërcënuar të blinte më shumë avionë rusë, veçanërisht nëse Kongresi do të bllokonte shitjen e mëtejshme të pajisjeve ushtarake amerikane.

"Erdogani do të ndjehet i tradhëtuar përsëri dhe ai mund të kthehet te Putini, duke i thënë ti je personi i duhur me të cilin mund të bëj biznes, nuk ke një legjislaturë të bezdisshme, ti je një sundimtar absolut dhe unë preferojë të merrem me udhëheqës të tillë", thotë Max Hoffman nga Qendra për Progresin Amerikan.

Analistët thonë se marrëdhëniet e ardhshme SHBA - Turqi do të duhet të mbështeten në më shumë sesa në thjeshtë marrëdhëniet e mira mes udhëheqësve të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco