‘Grusht shteti i ndyrë’: Shkëlqimi dhe rënia e Evo Morales

‘Grusht shteti i ndyrë’: Shkëlqimi dhe rënia e Evo Morales

10:08, 13/11/2019
A+ Aa A-

Ish-lideri i Bolivisë, Evo Morales, tha se ndaj tij është gatuar një grusht shteti i ndyrë pasi një senatore e opozitës e shpalli veten presidente e përkohshme.

Morales dha dorëheqjen të dielën dhe tashmë ndodhet në Meksikë, pasi ky vend i ka ofruar azil.

Bolivia është në prag të shpërthimit të një konflikti civil, ndërsa BBC sjell më shumë detaje për jetën e Morales.

Ai lindi në një fshat të vogël, në një familje indigjene. Karrierën politike e nisi duke u bërë lider i një sindikate që mbron kultivuesit e kokës- lëndës së parë të prodhimit të kokainës. Koka përdoret prej mijëra vitesh në këtë rajon për qëllime fetare, por edhe për të luftuar problemet me lartësinë dhe si një stimulant i butë.

Morales kandidoi për herë të parë për president në vitin 2002 duke premtuar se do ndihmonte popullin indigjen pas shekujsh vuajtjesh dhe diskriminimi.

Ai arriti të ketë sukses në garën e dytë, në dhjetor të vitit 2005.

Pasi erdhi në pushtet ai vazhdoi të mbronte prodhuesit e kokës, edhe pse amerikanët i bënin presion që të zhdukte këtë bimë. SHBA e akuzonte vazhdimisht se nuk e lufton prodhimin dhe trafikun e kokainës.

Në vitin 2008 ai dëboi ambasadorin amerikan pasi e akuzoi për konspiracion. Në vitin 2013 dëboi edhe agjencinë amerikane të ndihmës, USAID, të cilën e akuzonte se mbështet opozitën.

Si të gjithë drejtuesit e majtë në Amerikën Latine, ai premtoi rishpërndarjen e pasurisë. Morales uli rrogën e tij dhe të kabinetit pasi erdhi në pushtet dhe nisi procesin e shtetëzimit të industrive të naftës dhe gazit.

Taksat e larta mendoheshin se do shkonin për të shtuar investimet. Megjithatë kritikët thonë se ai nuk luftoi korrupsionin, që u bë problem kryesor në zgjedhjet e tetorit 2019. Po ashtu varfëria ekstreme kishte nisur të rritej.

Në vitin 2016 refuzoi të pranonte rezultatet e një referendumi që kufizonte numrin e mandateve të presidentit.

Pas 13 vitesh në pushtet, ai kërkoi edhe mandatin e katërt. Por fitorja në zgjedhje u kontestua nga vëzhguesit, që thanë se manipulimet ishin të qarta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

ai13/11/2019 12:51

Ndryshimi midis Morales e Ramës është vetëm se boliviani e quan Kokainën si bimë tradicionale mjeksore popullore, ndërsa Rama quan kështu Kanabisin për Shqipërinë. Ndonëse Rama shitej si një luftëtar i vendosur kundër Kanabisit, më kujtohet se kur u pyet në një intervistë televizive se çfarë mendimi kishte për legalizimin e tij, pat deklaruar se duke ndjekur shembullin e disa vendeve, edhe në Shqipëri mbase do të duhej të legalizohej kanabisi. Sa i takon modelit diktatorial qeverisës, Rama ka vepruar njëlloj si Morales, pa përfillur asnjë alternativë opozitare , vetëm se etatizmi i tij, është përzjerë edhe me bashkëpunimin me oligarkë të pasuruar nga trafiqet kriminale.

Shto koment

Denonco