FOTO/ Zbulohet shtëpia e parë e Donald Trump, jetoi 4 vitet e para të fëmijërisë

FOTO/ Zbulohet shtëpia e parë e Donald Trump, jetoi 4 vitet e para të fëmijërisë

22:27, 09/11/2019

Presidenti Donald Trump po i shkëput lidhjet me shtetin e Nju Jorkut duke zhvendosur rezidencën e tij zyrtare në shtetin e Floridas.

Tashmë shtëpia me pesë dhoma gjumi ku presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara kaloi fëmijërinë e tij, ka dalë në shitje.

Shtëpia ka ndërruar disa herë pronar, që kur u ndërtua në vitet 1940-të, nga babai i Presidentit, Fred Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nina Vishneva, familja Trump jetoi aty për rreth një dekadë, dhe Presidenti kaloi aty katër vitet e para të jetës së tij, raporton VOA.

Përpara se të zhvendosej në mjediset klasike të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara Donald Trump shijonte modernizmin e shtëpisë së tij në Kullën Trump, si dhe dekada më parë shtëpinë e fëmijërisë së tij në Nju Jork.

Presidenti i ardhshëm jetoi në këtë shtëpi në Queens për vetëm katër vite.

Fred Trump ishte një ndërtues i mirënjohur në qytetin e Nju Jorkut. Komplekset që ai ndërtoi ravijëzojnë edhe sot pamjen e Nju Jorkut. Edhe kjo shtëpi është po ashtu.

“Jetuan këtu deri rreth 1950-tës. Më pas e shitën këtë shtëpi dhe u zhvendosën tek ajo shtëpia tjetër që duket nga dritarja”, thotë Misha Haghani, i kompanisë së pronave të patundshme “Paramount Realty USA”.

Sot, shtëpia e parë e Donald Trump-it është sërish në treg. Në fundin e 2016-tës, kompania e zotit Haghani arriti ta shesë për 1 milionë e 400 mijë dollarë dhe e rishiti vetëm pas katër muajsh për 2 milionë dollarë. Në muajin shkurt të këtij viti shtëpia doli në treg me një çmim prej rreth 3 milionë dollarësh.

“Do më pëlqente shumë që ta blinte njëherë e mirë Presidenti Trump dhe ta ndalnim shitjen e saj”, thotë zoti Haghani.

Pronari aktual i shtëpisë kërkoi të mbetet anonim, por mendohet se nuk ka lidhje me Presidentin.

Në vitin 2017, pronari e vendosi shtëpinë në faqen e qerave Airbnb, me çmimin 725 dollarë nata. Megjithë emrin me të cilin lidhet shtëpia, turistët që qëndruan këtu u ankuan për vjetërsinë e saj dhe mosfunksionimin e duhur të sistemit hidraulik.

Është befasuese që pak nga fqinjët e dinë historinë e shtëpisë.

“Di se jetonte një njeri shumë i mirë më parë, por e shiti...”, thotë një banore e zonës.

“Ajo thotë se këtu banonte Presidenti Trump... Vërtet?”, shprehin habinë disa prej banorëve.

Por, disa prej vendasve e dinë historinë e vërtetë të shtëpisë dhe dinë se si ta trajtojnë.

“Shpresoj që të lihen pas mosmarrëveshjet dhe të mbetet në histori përgjithmonë se ai është president, si çdo president tjetër, dhe se shtëpia duhet të ruhet dhe të mbahet me kujdes”, thotë bilbiotekarja e shkollës, Barbara Paddock.

Fituesi i tenderit do të përfitojë një shtëpi me pesë dhoma gjumi, një tarracë të hapur, një vatër zjarri dhe një bibliotekë të madhe të mbushur me fotot e familjes së Presidentit Donald Trump dhe tekstet e fjalimeve të tij. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco