Amerikanët zemërohen me ministrin e Jashtëm gjerman: Nuk i falenderoi për Murin e Berlinit

Amerikanët zemërohen me ministrin e Jashtëm gjerman: Nuk i falenderoi për Murin e Berlinit

21:42, 05/11/2019

Nga Peter Tiede dhe Hans-Joerg Vehlewald, BILD

Tashmë ministri ynë i Jashtëm është me dy këmbët në tasin e çorbës.

Direkt pas paraqitjes së turpshme të Heiko Maas (53 vjeç, SPD) në Turqi. Dhe një ditë përpara vizitës në Gjermani të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo- ai tërheq mbi vete edhe zemërimin e Shteteve të Bashkuara.

Dhe me të drejtë!

Në 26 shtete të BE-së, Maas publikoi një artikull, ku falenderonte aleatët dhe vendet fqinje për kontributin e dhënë për rrëzimin e Murit të Berlinit dhe ribashkimin.

Harroi vetëm Amerikën: çlirimtaren, fuqinë mbrojtëse, atë që ndihmoi në ringritjen e gjermanëve.

“Uniteti gjerman ishte gjithashtu një dhuratë nga Europa për Gjermaninë,” shkruan Maas. Ai vlerësoi aktivistët e të drejtave të njeriut në mbarë Europën Lindore (Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari)- dhe ish- udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev.

POR: Asnjë rrokje për ish-presidentët amerikanë Ronald Reagan (Tear down this wall) dhe George Bush (God save the people of Germany).

John Kornblum, ish-ambasadori amerikan në Berlin, thotë për BILD: “Jam i zhgënjyer”. Maas falenderoi “gjysmën e botës, por nuk përmendi për asnjë moment meritat e amerikanëve për Gjermaninë dhe ribashkimin”. Ministri duket se “ka frikë të thotë diçka pozitive për Amerikën”.

Ish-komandanti i trupave amerikane në Europë, gjenerali Ben Hodges thotë se ka mbetur pa fjalë: “SHBA dhe Aleatët i qëndruan pranë Gjermanisë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë për shkak të vlerave tona të përbashkëta. Ky ishte çelësi që çoi në rënien e Murit në 9 nëntor 1989. Prandaj nuk e kuptoj se përse ministri Maas nuk e falenderoi në mënyrë të qartë presidentin Reagan, edhe pse ai përmendi specifikisht me emër Mikhail Gorbachev dhe të tjerët”.

Edhe në Berlin po fryn erë e keqe për Maas: grindjet me kolegen e kabinetit qeveritar, Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK) po përshkallëzohen.

Sfondi është një propozim i pakoordinuar i AKK për një zonë sigurie në Siri. Por në fund të tetorit, Maas e kishte quajtur në Ankara, në krah të homologut turk, diçka jorealiste.

Të hënën, Maas tha se AKK po minonte politikën e jashtme. I shpejtë ishte reagimi i nënkryetarit të fraksionit, Johann Wadephul: Maas është duke dëmtuar interesat e shtetit gjerman.

Për FDP-në kaq është e mjaftueshme, ajo do ta kritikojë zyrtarisht Maas në Bundestag. Grupi ka miratuar kërkesën.

Nënkryetari i grupit parlamentar të FDP, Alexander Grad Lambsdorff tha për BILD: Rrallë turpërohesh kaq shumë prej një ministri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco