Pompeo e quajti 'akt lufte' sulmin mbi sauditët, ministri Zarif apelon kundër luftës

Pompeo e quajti 'akt lufte' sulmin mbi sauditët, ministri Zarif apelon kundër luftës

16:51, 19/09/2019
A+ Aa A-

Ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif bëri një paralajmërim sot për ata që mund të shikojnë mundësinë e një sulmi kundër Iranit në përgjigje të sulmeve ndaj rafinerive saudite të naftës.

Deklarata vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e akuzoi drejtpërdrejt Iranin për sulmin ndaj Arabisë Saudite, duke e quajtur këtë një “akt lufte”, raporton VOA.

Sekretari i Shtetit Pompeo ndodhet sot në Abu Dhabi për bisedime mbi përgjigjet ndaj sulmeve që paralizuan përkohësisht prodhimin e naftës saudite.

Zoti Pompeo ka thënë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin Arabinë Saudite dhe të drejtën e saj për të mbrojtur veten”, duke shtuar se “sjelljet kërcënuese të Iranit nuk do të tolerohen”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar sanksione shtesë kundër Iranit.

Përgjegjësinë për sulmet e javës së kaluar mbi objektet e naftës saudite e morën rebelët Houthi në Jemen, por zyrtarët amerikanë thonë se kanë prova se raketat erdhën nga Irani.

Presidenti Trump tha të mërkurën se ai kishte urdhëruar Departamentin e Thesarit të rrisë ndjeshëm sanksionet ndaj Teheranit.

Më parë, ai bëri një kërcënim të maskuar për kundërpërgjigje me veprime ushtarake, por të mërkurën tha se nuk nxitohet për të sulmuar Iranin.

"Për të bërë gabime ke kohë sa të duash. Është shumë e lehtë të fillosh, prandaj ne do të shohim se ç’do të ndodhë. Nëse duhet të bëjmë diçka, do ta bëjmë pa hezitim".

Presidenti Trump shoqërohej nga këshilltari i tij i ri i sigurisë kombëtare, Robert O'Brien, gjatë vizitës në Kaliforni.

"Çdo këshillë që unë do t’i jap presidentit do të jetë konfidenciale, por ne po e vëzhgojmë nga afër gjendjen", tha zoti O’Brien.

Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite tregoi të mërkurën ato që i quan mbetje të raketave iraniane dhe dronëve të përdorur në sulmet mbi objektet saudite të naftës.

"Regjimi iranian dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike po përpiqen të fshehin çdo provë nga komponentet dhe teknologjia. Ata

gabohen. Ne kemi shumë prova kundër tyre, dhe do t'i dërgojmë ato në OKB dhe instanca të tjera bazuar në ligjet ndërkombëtare", tha kolonel Turki al-Malki, Zëdhënësi i Ministrisë Saudite të Mbrojtjes

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua me Princin Saudit Mohamed bin Salman në Rijad. Ai e quajti shkatërrimin e objekteve të naftës Aramco një "akt lufte" nga Irani, pavarësisht nga drejtimi nga i cili u lëshuan raketat.

Teherani ka mohuar çdo përfshirje. Një zëdhënës i grupit Houthi në Jemen tha se rebelët i kanë përmirësuar aftësitë ushtarake.

"Sot, për herë të parë njoftojmë se kemi dhjetëra objektiva në perimetrin tonë në Emiratet e Bashkuara Arabe, disa janë në Abu Dhabi, që mund të sulmohen në çdo moment", tha Yahya Saria, Zëdhënës Ushtarak i rebelëve Houthi

Udhëheqësit e Lidhjes Arabe paralajmëruan Iranin që t’i jap fund ndërhyrjes në Jemen.

"Është bërë e qartë gjatë periudhës së fundit se rebelët Houthi nuk i marrin vendimet vetë, por marrin urdhra nga një vend tjetër. Ne ritheksojmë thirrjen që Irani të largojë duart nga Jemeni dhe t’i japë fund mbështetjes me para dhe armë për rebelët", tha Ahmed Aboul Gheit, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe.

Konflikti katër-vjeçar i Jemenit shihet kryesisht si një luftë mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco