Trump fillon ‘furtunën’ ndaj Iranit, urdhëron rritje të ndjeshme të sanksioneve

Trump fillon ‘furtunën’ ndaj Iranit, urdhëron rritje të ndjeshme të sanksioneve

16:42, 18/09/2019
A+ Aa A-

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ka urdhëruar sekretarin e Thesarit Stiven Mnuchin që të "rrisë ndjeshëm sanksionet" e vendosura ndaj Iranit, në mesin e tensioneve të përshkallëzuara mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ai nuk dha detaje shtesë lidhur me këtë vendim, që pason sulmet në fundjavë në objektet e naftës në Arabinë Saudite, sipas VOA.

Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo është nisur të mërkurën drejt Riadit për të diskutuar me zyrtarët sauditë rreth sulmit ndaj objekteve të naftës të Arabisë Saudite që zyrtarët e amerikanë besojnë se e kishte origjinën nga Irani.

Nënpresidenti Mike Pence tha se diplomati i lartë amerikan do të diskutojë mbi "përgjigjen e Uashingtonit” ndaj sulmit.

Rebelët Houthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e së shtunës, i cili shkatërroi gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite. Por sipas zyrtarëve amerikanë provat në dispozicion tregojnë se kjo nuk është e mundur.

"Supozimi ynë është se sulmi nuk erdhi nga Jemeni apo Iraku",i tha të martën një zyrtar amerikan i mbrojtjes Zërit të Amerikës. Ai shtoi se një ekip ekspertësh amerikanë ndodhen terren duke punuar me autoritetet saudite, për të ekzaminuar mbetjet e raketave.

"Ne mendojmë se provat do të jenë bindëse", shtoi zyrtari.

Të tjerë zyrtarë amerikanë thonë se provat që tashmë janë mbledhur janë përfundimtare dhe dëshmojnë se Irani ishte autor i sulmit.

Zyrtarë të paidentifikuar i thanë rrjetit televiziv NBC të martën se më shumë se 20 dronë e raketa të përdorura gjatë sulmit ndaj objekteve të naftës saudite, ishin lëshuar nga Irani.

Zyrtarë të tjerë i thanë rrjetit televiziv CBS se të paktën një nga raketat kaloi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa udhëtonte në jug, drejt Arabisë Saudite. Agjencia e lajme Reuters citonte disa zyrtarë që thonë se sulmet e kishin origjinën në jugperëndim të Iranit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco