Salvini: Tradhtarët do ti mundim

Salvini: Tradhtarët do ti mundim

21:23, 15/09/2019
A+ Aa A-

Lideri i partisë ekstremiste Liga e Veriut, Mateo Salvini premtoi të dielën mbajtjen e një seri referendumesh për të ndaluar reformat e premtuara nga qeveria e re.

Në një fjalim të mbajtur të dielën në një miting në lokalitetin Pontida, në veri të vendit fqinj, Salvini kritikoi ashpër ish-aleatët e tij duke i cilësuar ‘tradhtarë’.

Liga e Veriut qeverisi me lëvizjen anti-sistem 5 Yjet për 14 muaj, përpara se Salvini të shkëputej nga koalicioni muajin e kaluar në përpjekje për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, nxitur nga rritja e popullaritetit të tij.

Por me një lëvizje surprizë, Lëvizja 5 Yjet bëri aleancë me armiqtë e betuar të Partisë Demokratike, duke krijuar një qeveri të re dhe nxjerrë bllof manovrën e Salvinit, që tashmë ndodhet në opozitë.

 ‘Ne do t’i sfidojmë tradhtarët që janë mbyllur në zyrat e tyre. Në muajt e ardhshëm do të ketë një qeveri të re, një qeveri të popullit’, tha Salvini, duke premtuar referendume për të zhbërë ligjet e planifikuara nga mazhoranca e re, përfshirë atë elektoral që mund t’ia vështirësojë pozitat Ligës në të ardhmen.

 ‘Jemi ngopur me dredhi dhe tradhti’, vijoi kreu i ekstremistëve, duke premtuar edhe një referendum nëse koalicioni i ri përpiqet të rrëzojë një ligj që ai miratoi muajin e kaluar, që mbyll portet e Italisë për anijet me emigrantë.

Që të mbahet një referendum në Itali duhen mbledhur të paktën 500 mijë firma.

 ‘Nëse ata prekin dekretin tonë të sigurisë, atëherë ne nuk do të mbledhin 500 mijë firma, por 5 milionë për të mbrojtur kufijtë e shenjtë të vendit tonë’, shtoi Salvini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco