Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

SHBA-ja fajëson Iranin për sulmet në rafineritë e naftës

SHBA-ja fajëson Iranin për sulmet në rafineritë e naftës

12:24, 15/09/2019
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin se qëndron prapa sulmeve me dronë, që shkatërruan pothuajse gjysmën e kapacitetit të prodhimit të naftës të Arabisë Saudite.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Teherani ka kryer “një sulm të paprecedent” ndaj furnizimeve botërore të energjisë.

Ndërkaq, ligjvënësi republikan, Lindey Graham nga Karolina e Jugut tha se është “koha” që të mendohet për një sulm “ndaj rafinerive të naftës të Iranit, nëse ata vazhdojnë me provokimet e tyre ose rrisin pasurimin bërthamor”.

Rebelët jemenas Huthi, që mbështetën nga Irani, më 14 shtator morën përgjegjësinë për sulmin në një ndërtesë për përpunimin e naftës në lindje të Arabisë Saudite, e cila pas sulmit reduktoi prodhimin e naftës për 5 milionë fuçi në ditë – pothuajse gjysma e prodhimit të naftës në gjithë Mbretërinë – duke afektuar 5 për qind të prodhimit ditor global, raportoi Retuers dhe The Wall Sreet Journal.

“Nuk ka asnjë dëshmi që sulmet u kryen nga Jemeni”, tha Pompeo në një postim në Twitter, ku akuzoi presidentin iranian, Hassan Rohani dhe ministrin e Jashtëm Javad Zarif se po angazhohen në një diplomaci false.

“Teherani qëndron prapa pothuajse 100 sulmeve nëArabinë Saudite teksa Rohani dhe Zarif pretendojnë të përfshihen në diplomaci”, tha Pompeo.

Sekretari Pompeo tha po ashtu se pavarësisht thirrjeve për mospërshkallëzimin e mëtejmë të tensioneve në Gjirin Persik, “Irani tani nisi një sulm të paprecedent mbi furnizimet globale të energjisë”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që publikisht të dënojnë sulmet e Iranit. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe aleatët që të sigurohemi që tregjet e energjisë të jenë të furnizuara mirë dhe Irani të mbahet përgjegjës për agresionin”, tha Pompeo.

Sulmet me dronë shkaktuan zjarre të mëdha në ndërtesat për përpunimin e naftës në Abqaiq dhe Khurais. Zjarret, sipas ministrit saudit të Energjisë, Princit Abdulaziz bin Salman “rezultuan në pezullimin e përkohshëm të prodhimit” të naftës.

Ndërkaq, Departamenti amerikan për Energji tha se “është i gatshëm të dërgojë burime” nga rezervat e tij strategjike të naftës “nëse është e nevojshme, me qëllim që të kompensohet çdo ndërprerje në tregjet e naftës”.

Sipas të dhënave zyrtare, SHBA-ja ka 630 milionë fuçi naftë rezervë strategjike.

Grupi i militantëve shiit Huthi ka nën kontroll kryeqytetin e Jemenit, Sanaa dhe disa territore të tjera në këtë shtet.

Gjiganti i naftës Saudi Armaco, që është në pronësi të Arabisë Saduite dhe njëra prej kompanive më profitabile në botë, e përshkruan ndërtesën për përpunimin e naftës në Abqaiq si “impiantin më të madh në botë për stabilizimin e naftës së papërpunuar”.

Një koalicion, që udhëhiqet nga Arabia Saudite, ka luftuar kundër rebelëve Huthi, që prej marsit të vitit 2015.

Sulmet e 14 shtatorit vënë në pah se rebelët Huthi gjithnjë e më shumë kanë armatim të avancuar – nga raketat balistike, deri te dronët pa pilotë – që e cila paraqet kërcënim serioz për rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, eksportueses më të madhe në botë të naftës së papërpunuar.

Sulmet me dronë janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Kuvajti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka ofruar Princit të Kurorës, Mohammad bin Salman “mbështetjen e tij që Arabia Saudite të vetëmbrohet”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kjo deklaratë u pasua nga një njoftim nga Riadi, ku thuhet se Princi i Kurorës, i ka thënë presidentit Trump se Mbretëria “është e gatshme dhe e aftë” që t’iu përgjigjet sulmeve, përgjegjësinë e së cilave e morën rebelët Huthi.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara po monitoron situatën dhe mbetet e angazhuar që të sigurojë që tregjet botërore të naftës të jenë të qëndrueshme dhe të furnizuara mirë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco