Merkel koshiente për sfidat që ka para Gjermania

Merkel koshiente për sfidat që ka para Gjermania

22:46, 12/09/2019
A+ Aa A-

Mbrojta e klimës, digjitalizimi, siguria nacionale... janë vetëm disa nga sfidat, për të cilat foli Angela Merkel në Bundestag.

Në veçanti ruajtja e klimës konsiderohet si sfidë e madhe, raporton DW.

Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar në Bundestag miratimin e masave për ruajtjen e klimës. "Nëse duam një ruajtje më të mirë të mjedisit dhe të klimës, atëherë duhet të ndajmë më shumë para", tha ajo në debatin e përgjithshëm në Bundestag për buxhetin vjetor. Injorimi i kësaj çështjeje do të kushtonte edhe më shumë para. "Heshtja nuk është alternativë", tha ajo

Merkel theksoi se vendimi duhet të merret më 20 shtator. Ndërsa ruajtja e mjedisit duhet të mbështetet tek inovacionet dhe mekanizmat e ekonomisë së tregut. Merkeli tha se duhet të gjenden zgjidhjet e duhura për ruajtjen e klimës dhe zvogëlimin e emetimit të dioksidit të karbonit në ajër. Njëkohësisht duhen gjetur zgjidhje që e mbështesin zhvillimin ekonomik. Kjo mund të bëhet përmes energjisë së ripërtëritshme.

Gjermania duhet të investojë më shumë në inteligjencën artificiale, mendon kancelarja. Ndërsa Evropa duhet të forcojë disa segmente, ku SHBA dhe Azia janë në përparësi. Sa i përket digjitalizimit, Merkel mendon se Evropa duhet të angazhohet më shumë në këtë drejtim, sepse disa pjesë të tjera të botës janë në epërsi.

Merkel kërkon forcimin e rolit të Evropës

Merkel theksoi se në Gjermani duhet të ketë zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet. Zhvillimet mes rajoneve rurale dhe urbane janë të ndryshme. "Këtu duhet të gjejmë përgjigjet përkatëse." Këtu bën pjesë edhe përkujdesja mjekësore.

Kancelarja kundërshton me vendosmëri racizmin, duke kërkuar "zero tolerancë" ndaj urrejtjes, racizmit dhe përkufizimeve ndaj njerëzve të tjerë. Ajo ka denuar ashpër sulmet e fundit ndaj hebrenjve dhe të huajve.

Kancelarja gjermane kërkon një rol edhe më të fuqishëm të Evropës në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes në botë. Evropa duhet të zhvillohet më shpejt në "fushën e sovranitetit". "Evropa duhet të luajë një rol më të rëndësishëm edhe në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve." Bashkimi Evrpopian do të dobësohet me daljen e Britanisë së Madhe. Por kjo do të thotë se BE duhet të zhvillojë forca të reja.

Gjermania duhet të përgatitet për ndarjen e një sasie më të madhe parash për mbrojtje. Nuk ka automatizma, si në kohën e Luftës së Ftohtë, kur SHBA kishte një rol mbrojtës për evropianët, tha Merkel. Ndaj është me rëndësi që Gjermania të mbajë premtimet e veta për ngritjen e përqindjes së fondeve që duhet të ndajë për nevojat e NATO-s. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco