Senatori republikan siguron Ukrainën: Ndihma ushtarake amerikane e padiskutueshme

Senatori republikan siguron Ukrainën: Ndihma ushtarake amerikane e padiskutueshme

20:45, 12/09/2019
A+ Aa A-

Një anëtar i lartë republikan i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në senatin amerikan thotë se edhe nëse Presidenti Donald Trump refuzon të zhbllokojë fondin prej 250 milion dollarësh në formë ndihmash ushtarake të parashikuara për Ukrainën, Kongresi do të japë fonde të reja për këtë qëllim.

Senatori Ron Johnson, republikan nga shteti Uiskonsën dhe kryetar i Nënkomisionit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, i tha të mërkurën Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës se edhe nëse presidenti Trump anulon fondet për të ndihmuar vendin të luftojë agresionin rus siç ishte planifikuar, Kongresi do të miratojë një legjislacion për t’i dhënë përsëri këto fonde, raporton VOA.

"Pavarësisht nga vendimi që ai mund të marrë, jam shumë i bindur se Kongresi kur të shqyrtojë buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal, i cili është shumë pranë, më 1 tetor, do të sigurojë që edhe nëse Presidenti Trump vendos të mos lejojë shpenzimin e këtyre fondeve, përmes procesit legjislativ ai të mund të mos ketë asnjë mundësi tjetër përveç se të lejojë livrimin e tyre," tha senatori Johnson, i cili sapo është kthyer nga një turne në Evropën Lindore.

Senatori Johnson, së bashku me kolegun e tij të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorin Chris Murphy, demokrat nga Kënektikati, nuk u lejuan të vizitojnë Rusinë, si pjesë e një delegacioni dypartiak të Kongresit që gjithashtu kishte planifikuar ndalesa në Ballkan dhe Ukrainë.

Senatori Mike Lee, republikan nga Juta, megjithatë u lejua të vizitonte Rusinë në atë që disa po e quajnë një vendim të Kremlinit për të favorizuar ligjvënësit amerikanë që kanë votuar kundër sanksioneve ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

"Ajo që po përpiqem të bëj është thjesht të ul shqetësimet për mungesën e mbështetjes ose për ndonjë lloj ndryshimi në mbështetjen amerikane për Ukrainën," tha senatori Johnson. "Unë mund t'ju them nga dega legjislative e qeverisjes në Kongres: mbështetja për Ukrainën, dhe kryesisht për popullin e Ukrainës, është praktikisht e njëzëshme."

Senatori Johnson, i cili u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndërsa ishte në Kiev, tha se ishte i impresionuar nga qasja e drejtuesit të ri për zhdukjen e korrupsionit në vend.

"Morëm pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës së Lartë Anti-Korrupsion ... dhe në fjalën e tij, Presidenti Zelenskiy tha se ne jo vetëm do të luftojmë korrupsionin, por do ta mposhtim atë," tha senatori Johnson. "Sigurisht është një detyrë e vështirë, por synimi është i lavdërueshëm, kështu që u inkurajuam shumë."

I njëjti korrupsion problematik, shtoi ai, është arsyeja që presidenti Trump ka kërkuar një rishikim të 250 milion dollarëve të ndihmës ushtarake që pritet për Ukrainën.

"Një pjesë e arsyetimit të presidentit Trump për pezullimin e ndihmës është niveli i korrupsionit në Ukrainë, por gjithashtu edhe dëshira e tij për ta bërë Evropën të shtojë shpenzimet dhe të respektojë angazhimin për mbrojtjen rajonale", tha senatori Johnson, duke shtuar për Zërin e Amerikës se ai personalisht e ka diskutuar çështjen me presidentin Trump.

Javën e kaluar, gazeta Washington Post publikoi një editorial ku kritikonte Shtëpinë e Bardhë dhe zotin Trump për pezullimin e ndihmës ushtarake për ato që gazeta i quajti qëllime qartësisht politike.

Të hënën, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve dërguan letra në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë ku kërkojnë dokumente në lidhje me një udhëtim të fundit në Evropë të avokatit personal të presidentit Trump, Rudolph Giuliani, i cili në gusht i kërkoi ndihmësit të lartë të presidentit ukrainas Zelenskiy, Andriy Yermak të hetonte rolin e Hunter Bidenit, djalit të ish nënpresidentit dhe tani pretendentit demokrat presidencial Joe Biden, në bordin e një kompanie të gazit në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco