‘Shmangia e përgjegjësisë’ nga Perëndimi, po krijon një ‘inkubator’ të ri terrorist

‘Shmangia e përgjegjësisë’ nga Perëndimi, po krijon një ‘inkubator’ të ri terrorist

21:44, 11/09/2019
A+ Aa A-

Tetëmbëdhjetë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrtarët e luftës kundër-terrorizmit paralajmërojnë se koalicioni po ndihmon që historia të përsëritet.

Një grup prej 13 ish-zyrtarësh, përfshirë dy ish-drejtorë të Qendrës Kombëtare amerikane Kundër-Terrorizmit, ish-drejtori i Operacioneve të Kundër-Terrorizmit në MI6-ën e Britanisë dhe ish-i dërguari amerikan i koalicionin që kishte në shënjestër grupin terrorist të Shtetit Islamik, publikuan të martën vonë një letër të hapur duke kërkuar nga vendet perëndimore që të ndalojnë injorimin e të arrestuarve në Siri dhe Irak, raporton VOA.

"Ne kemi dëshmuar për ngritjen e dhunshme të al-Kaedës, grupit Taliban dhe ISIS-it", shkruajnë ata. "Kemi studiuar kushtet që i kanë dhënë mundësinë këtyre grupeve dhe i kanë lejuar ata të rriten fuqishëm. Shohim se disa nga këto kushte kanë lindur sërisht", thuhet gjithashtu në letër.

Në veçanti, zyrtarët përqendrohen në kampin al-Hol në veri-lindje të Sirisë, ku ndodhen rreth 70 mijë njerëz të zhvendosur gjatë luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për shkatërrimin e kalifatit të vetëshpallur të ISIS-it.

Sipas të dhënave të përpiluara nga organizata “Human Rights Watch” rreth 11 mijë persona mendohet të jenë gra e fëmijë të lidhur me luftëtarë të dyshuar të ISIS-it.

Megjithë kërkesat e përsëritura nga zyrtarët amerikanë, shumë vende evropiane nuk kanë treguar gadishmëri t'i marrin shumë prej tyre.

Ish-zyrtarët e kundër-terrorizmit dhe të sigurisë kombëtare e quajnë këtë një gabim.

"Ky qëndrim “i shmangies së përgjegjësisë" do të krijojë rrezik edhe më të madh në të ardhmen", shkruajnë ata. "Refuzimi i shtetësisë nga vendet e tyre do t’u forconte ndjenjën se janë në të vërtetë qytetarë të Shtetit Islamik, duke i përgatitur potencialisht për të formuar bazat e një ringjalljeje në të ardhshen". 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco