Qeveria Conte kërkon votëbesimin në Parlamentin italian

Qeveria Conte kërkon votëbesimin në Parlamentin italian

15:44, 09/09/2019
A+ Aa A-

Qeveria e re italiane e koalicionit 5 Yje-PD kërkoi sot votëbesimin në Parlamentin italian.

Kryeministri Giuseppe Conte ka prezantuar para deputetëve programin e ri qeverisës duke e cilësuar si nisjen e një stine të re për Italinë.

Kreu i ekzekutivit italian, qysh në fillim të fjalës së tij kërkoj një kthesë dhe në leksikun e fjalorit politik me premtimin se së bashku me gjithë ministrat e tij, do të kujdesen për përdorimin e një gjuhë më të përshtatshme, më të respektueshme ndaj njerëzve, si dhe me larmi idesh.

Kreu i ekzekutivit të ri ka premtuar se programi qeverisës do të jetë një pakt social e politik për një Itali të së ardhmes.

"Me projektin e një shoqërie ku duam të jetojmë së bashku me fëmijët e nipërit tanë,"-tha ai.

Programi i ri i qeverisë Conte 2 ka premtuar çerdhe e kopshte falas për familjet me të ardhura të ulëta e mesatare, universitete dhe shkolla cilësore.

Kryeministri Conte premtoi reduktimin e taksave, si dhe vendosjen e kufirit të pagës minimale të detyrueshme.

"Sfida kryesore e qeverisë së re,"-tha Conte,-"është jugu i Italisë, lufta kundër nivelit të lartë të papunësisë sidomos tek të rinjtë, si dhe garantimin e kushteve për një jetë dinjitoze në një vend civil."

Qeveria e re kuq-e verdhë, do të rishikoj të gjitha koncesionet e dhëna ndaj privatëve e në veçanti në sektorin e transportit e autostradave në respekt të kujtimit të 43 viktimave që shkaktoI tragjedia e shembjes Së urës Morandi në Genova, mes të cilëve 2 të rinj shqiptarë.

Me shumë duartrokitje u pritën fjalët e kryeministrit Conte për reformën kushtetuese e cila parashikon shkurtimin e numrit të parlamentarëve.

Në sektorin e shëndetësisë për alarmin e mungesës së personelit, qeveria e re parashikon t'i gjej zgjidhje me një plan të jashtëzakonshëm emërimesh për mjekë, infermierë e punonjës sanitarë në sektorin publik.

Qeveria e re Conte2 konsiderohet si më europeiste se ajo e koalicionit të mëparshëm Lidhja- 5 Yje, e në raportin e ekzekutivit të tij me Evropën, Conte u shpreh se: "Mbrojtja e interesit kombëtar nuk do të thotë braktisje në pozicione sterile izolimi, por mbrojtja e interesit kombëtar është vënia e vendit para gjithçkaje e pa u kushtëzuar nga presioni i fuqive ekonomike e ndikimet e jashtme të panevojshme. Italia do të punoj për të përmirësuar e zbatuar paktin e stabilitetit e zhvillimit në BE, duke kërkuar thjeshtësimin e rregullave e mbështetjen e investimeve në sektorin ambiental e social."

Përballimin e krizës së emigracionit, qeveria e re italiane kërkon ta kryej me një politikë të re jo më emergjence por me një qasje strukturore në shumë nivele, me përgjegjësi e më një normativë organike që do vazhdojë të ndjek luftën kundër trafikut ilegal të qenieve njerëzore.

Në fushën e sigurisë, Giuseppe Conte u shpreh se kjo qeveri do të rishikoj ligjin e sigurisë të hartuar nga Matteo Salvini, që do bëhet nën sugjerimet e Presidentit Mattarella.

Rreth orës 19.30 pritet të nis votimi i deputetëve për qeverinë Conte 2, rezultati i të cilit pritet të jepet pas orës 21.30.

Për të marrë votëbesimin në dhomën e deputetëve, qeverisë Conte 2 i duhen të paktën 316 vota ndërsa në Senat 161.

Parashikimet flasin se në dhomën e deputetëve votëbesimi është i garantuar me mbi 340 vota.

Ditën e nesërme, (10 shtator) kryeministri Giuseppe Conte do të kërkojë votëbesimin dhe në dhomën e Senatit të Parlamentit Italian.

Më delikate pritet të jetë votëbesimin në Senat ku mazhoranca absolute kërkon 161 vota dhe parashikimet shkojnë në 162 vota pro qeverisë Conte.  /Alba Kepi, ora/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco