Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Si po e zgjedh Presidentja e  re e KE, ekipin e saj me komisionerë?

Si po e zgjedh Presidentja e re e KE, ekipin e saj me komisionerë?

11:42, 30/08/2019
A+ Aa A-

Presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka përpara një detyrë të vështirë - zgjedhjen e komisionerëve të rinj të BE. Por asaj i duhet të krijojë një ekip pune, për të cilin nuk vendos vetë.

Nga Deutsche Welle

Ajo që presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përpiqet të bëjë momentalisht mund të krahasohet me një punim filigran thurjeje. Thurja e ndërlidhja e fijeve të holla të bardha në një model të mirë ka traditë në Bruksel. Ende sot mund t‘i blesh çentrot në dyqane suvenirësh.

E transferuar në politikë kjo thurje të kujton një Ursula von der Leyen që përpiqet të krijojë një ekip drejtues të Komisionit Europian. Ajo ka shumë fije në dorë të palidhura, të cilat duhet t'i bashkojë në një mozaik funksionues. 26 vendet anëtare që lejohen të zenë postet e komisionerëve të BE, kishin kohë deri më 26 gusht të jepnin emrat e kandidateve e kandidatëve. Britania e Madhe për shkak të Brexit nuk dërgon emra në Bruksel. Gjermania përfaqësohet përmes presidentes së KE.

Gratë në poste drejtuese

Ursula von der Leyen u kishte drejtuar një lutje shteteve anëtare, që të propozojnë 13 kandidate femra. Ajo dëshiron që të krijojë komisionin e parë europian të barazisë gjinore. Pasi Franca emëroi Silvi Goudardin, numri i kandidateve femra tani ka arritur në 12 vetë. Nëse edhe Italia, pas tejkalimit të krizës qeveritare, dërgon edhe një kandidate femër, atëherë von der Leyen mund të përmbushë premtimin që dha në Parlamentin Europian. Por për këtë ajo duhet t‘i pranojë të gjitha kandidatët femra, sepse vetëm dy shtete, Rumania dhe Portugalia kanë dërguar nga një kandidate femër e një mashkull, siç dëshironte von der Leyen për përzgjedhje.

Zgjedhja e Ursula von der Leyen, 16 korrik 2019

Por edhe vendet anëtare dhe partitë politike në Parlamentin Europian kanë preferencat e tyre që i kanë bërë të ditura ndërkohë dhe duan që të marrin pjesë tek procesi i thurjes, ose të paktën të luajnë ndonjë fije. Gati të gjitha shtetet dëshirojnë të zënë një „sektor të rëndësishëm" për kandidatët e tyre, pra me ekonominë, tregtinë apo financat.

Kurse grupet parlamentare në Parlamentin Europian, në të cilin nuk ka më mazhoranca të qarta, duhet që të japin votën e tyre për secilin kandidat për komisioner pas seancave dëgjimore në fund të tetorit. Ato mund t‘i refuzojnë kandidatët e caktuar e të kërkojnë ndërrimin e tyre, gjë që ka ndodhur edhe me komisionet e mëparshme.

Aktualisht Ursula von der Leyen mozaikun e saj të personelit po e zë me 9 kandidatë konservatorë, nëntë socialdemokratë, 5 liberalë dhe 1 Të Gjelbër dhe 1 nacionalist. Si zëvendëspresidentë të Komisionit janë vendosur emrat e Frans Timmermans, socialdemokrat, dhe Margrethe Vestager, liberale - kujtojmë se që të dy dëshironin të kishin postin e presidentit të Komisionit Europian, që tani e ka Ursula von der Leyen. Për të shëruar plagët politike, që të dy flitet se do të punojnë në një nivel të ngritur në komisionin e ri.

Lindja dëshiron më shumë influencë

Edhe shtetet lindore, anëtare të BE duan që të zenë postin e rëndësishëm të zëvendëspresidentit të KE, sepse sipas tyre vendet lindore nuk janë marrë shumë në konsideratë në shpërndarjen e posteve. President i Këshillit të BE në fund do të bëhet një belg, postin e të ngarkuarit për politikën e Jashtme do ta zërë një spanjoll, dhe atë të presidentes së Bankës Qendrore Europiane një franceze. Qeveria nacionaliste PiS në Poloni duket se ka një ujdi me Ursula von der Leyen, që të marrë sektorin e rëndësishëm agrar, nga i cili Polonia merr subvencione të larta. Për këtë madje PiS e ndërroi shpejt kandidatin e saj për komisioner të hënën (26.08). Von der Leyen është dukshëm e angazhuar për një marrëdhënie më të mirë me Poloninë, se paraardhësi i saj, Jean-Claude Juncker. Ajo kërkon t'i japë fund grindjes për shtetin ligjor në Poloni, por nuk do të bëjë lëshime në përmbajtje, u premtoi von der Leyen kritikëve të saj në Parlamentin Europian.

Liberalja, Margrethe Vestager mund të zërë një nga postet e rëndësishme në Komisionin e ri

Ursula von der Leyen kërkon të krijojë ekipin e kandidatëve deri në fund të shtatorit, që njihet si „Ekipi Ursula", për shkak të vështirësive në shqiptimin e emrit të saj në disa vende. Kush mund të ketë vështirësi nga kandidatët? Pritet që në Parlamentin Europian ta kenë të vështirë kandidatët nacionalistë nga Polonia dhe Hungaria. Edhe disa kandidatë të tjerë pa ndonjë rol të rëndësishëm në politikë më parë nuk do ta kenë të lehtë, si për shembull kandidatja kroate, Dubravka Suica, mësuese, kryetare bashkie e në fund deputete e Parlamentit Europian. Ajo nuk ka përvojë qeverisjeje. Po ashtu edhe kandidatja qipriote, Stella Kyriadkides nuk ka për të pasur të lehtë. Ajo është psikologe dhe eurodeputete. Kurse njëra nga kandidatet rumune, Rovana Plumb, duhej të jepte dorëheqjen si ministre në vendin e saj për shkak të një afere korrupsioni.

Tek kandidatët meshkuj, bie në sy 28 vjeçari nga Lituania, Virginijus Sinkeviscius, që është anëtar i partisë agrare ambientaliste të vendit të tij dhe si ministër i Ekonomisë ka ndërkohë një përvojë qeverisjeje. Por deputetët e partisë së Gjelbër e shohin me dyshim kandidatin e ri, sepse ai përflitet për një afërsi të madhe në qëndrime me presidentin populist, Donald Trump. Virginijus Sinkeviscius duhet të përgatitet për një marrje të fortë nën lupë nga komisioni parlamentar përkatës.

Ende ka pyetje të hapura për ekipin e ri Ursula. Do të ketë si deri më tani zëvendëspresidentë, që vëzhgojnë punën e komisionerëve? Do të kenë komisionerët më shumë pushtet? Si do të lidhen krerët kryesorë të Komisionit me direktoratet e përgjithshme me mijëra nëpunësit e tyre? Ursula von der Leyen ka ende shumë punë për t‘i reflektuar si duhet pikërëndesat kryesore politike të saj si tregtia, klima dhe e ardhmja digjitale në ekipin e ri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco