Lajmi i fundit

LIVE/ Tensionohet protesta para Bashkisë së Tiranës

Liderat e G-7-ës gati për përballjen me Presidentin Trump

Liderat e G-7-ës gati për përballjen me Presidentin Trump

21:21, 23/08/2019
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit e Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë do të mblidhen në Francë këtë fundjavë për takimin vjetor të Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara, ose G-7.

Mikpritësi i takimit, Presidenti Francez Emmanuel Macron, ka deklaruar se nuk do të ketë deklaratë të përbashkët në fund të takimit për shkak të mosmarrëveshjeve midis Presidentit Trump dhe udhëheqësve të tjerë për çështje kyçe.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara sjell hollësitë.

Qyteti i turistik bregdetar i Biarritz-it po përgatitet për takimin e demokracive më të përparuara të botës të njohur si "Grupi i Shtatëshes".

Ndërkohë, udhëheqësit e G-7-ës po përgatiten të përballen me një president amerikan të njohur për këndvështrimin e tij anti-globalist dhe qëndrimet nganjëherë konfrontuese kundër aleatëve, thonë analistët, raporton VOA.

"Unë kam ndjekur takimet e G-7-ës, dhe G-8-ës për ca kohë dhe kjo është hera e parë që në të vërtetë mund të ndiejë një lloj nervozizmi", thotë Karoline Postel-Vinay nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Paris.

Në takimin e G-7-ës vitin e kaluar në Kuebek, Presidenti Donald Trump kërcënoi të ndalte marrëdhëniet tregtare me disa vende anëtare, e quajti mikpritësin e tij, Kryeministrin Kanadez Justin Trudeau "të dobët" dhe tërhoqi miratimin e tij për një komunikatë të përbashkët.

Të Mërkurën, Presidenti Francez Emmanuel Macron deklaroi se nuk do të ketë komunikatë të përbashkët, hera e parë në historinë e G-7-ës, duke përmendur si arsye dallimet midis Presidentit Trump dhe udhëheqësve të tjerë mbi çështjet si Irani dhe ndryshimet klimatike.

Ky qëndrim në skenën botërore, të cilën disa analistë e shohin si armiqësor, është në përputhje me doktrinën e Presidentit Trump "Amerika e Para". Kjo mund t’i shërbejë atij politikisht në përpjekejt për t’u rizgjedhur President në vitin 2020. Megjithatë, disa analistë thonë se Presidenti Trump është parë si një forcë përçarëse në forumet ndërkombëtare.

"Kur Shtetet e Bashkuara udhëheqin këto forume, ata mund të realizojnë gjëra. Kur Shtetet e Bashkaura nuk marrin rol udhëheqës ose nuk janë të interesuara, atëherë është shumë e vështirë që të arrihet ndonjë gjë. Unë mendoj se kjo ka qenë shumë e theksuar në takimet e fundit të G-7-ës dhe G-20-ës."

Ankthi i udhëheqësve të G-7-ës lidhur me Presidentin Trump nënvizon pasiguritë e tyre për rolin në ndryshim të Amerikës në botë, në një kohë kur ekonomia globale po përballet me kërcënime nga recesioni.

"Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ne ishim mësuar të kishim një udhëheqës të botës së lirë me të cilën ishim shumë të qetë, dhe tani nuk po e shohim më", thotë Karoline Postel-Vinay nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Paris.

Përpara takimit, Presidenti Trump përsëri hodhi idenë për ta rikthyer Rusinë në grup. Ai përsëriti pohimin e tij se përse mendonte që Moska u dëbua nga G-8.

"Rusia ia hodhi Presidentit Obama. Ata e morën Krimenë gjatë mandatit të tij, jo gjatë mandatit tim”.

Në vitin 2014, anëtarët e G-8-ës pezulluan Rusinë nga grupi për shkak të aneksimit të Krimesë, një territor ukrainas, të cilin Moska akoma e mban nën pushtim.

Rusia nuk ka shprehur dëshirën për t'u rikthyer në grup. Disa analistë e interpretojnë këtë si një lojë të Putinit.

"Ata me siguri po mbajnë këtë qëndrim që të duken sikur Uashingtoni po u lutet të kthehen", thotë William Hill i Insitutit Kennan në Qendrën Wilson.

Të mërkurën zoti Macron tha se ripranimi i Rusisë në grup pa zgjidhjen e krizës së Ukrainës do të ishte një "gabim strategjik".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco