Masakra e El Pasos, përkujtohen viktimat

Masakra e El Pasos, përkujtohen viktimat

12:08, 07/08/2019
A+ Aa A-

Banorët në qytetin kufitar me Meksikën, El Paso, janë në zi. Mbrëmë, në një shkollë të këtij qyteti të Teksasit, njerëzit përkujtuan një nxënës që ishte mes viktimave të masakrës të së shtunës. Autoritetet e policisë kanë publikuar një fotografi të të dyshuarit për sulmin, 21 vjeçarit që akuzohet se u mori jetën 22 personave. Prokuroria tha se do të kërkojnë dënim me vdekje për Patrick Crusius, nëse ai shpallet fajtor, raporton VOA.

15 vjeçari Javier Amir Rodriguez ishte në prag të fillimit të vitit të dytë të shkollës së mesme, përpara se jeta e tij të merrte fund. Ai ishte mes viktimave në sulmin me armë në El Paso të Teksasit, incident që dyshohet se ishte motivuar nga urrejtja racore.

Në nderim të tij dhe viktimave të tjerë që u ekzekutuan në një qendër tregtare, shumë qytetarë u mblodhën në shkollën e mesme Horizon, ku mësonte viktima.

Policia në Teksas ka publikuar një fotografi të autorit të masakrës në El Paso, 21 vjeçarit Patrick Crusius, i akuzuar për vrasje të 22 personave në qytetin kufitar me shumicë hispanike.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott tha se masakra duket se ishte një krim i urrejtjes racore. Policia përmendi një dokument të ashtuquajtur “manifesti i bardhë”, të postuar në internet pak para fillimit të sulmit.

Një prokuror i Teksasit tha se shteti do të kërkojë dënimin me vdekje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco