Debati në Gjermani dhe roli i origjinës së vrasësit të 8-vjeçarit në Frankfurt

Debati në Gjermani dhe roli i origjinës së vrasësit të 8-vjeçarit në Frankfurt

08:21, 31/07/2019
A+ Aa A-

Krimi në stacionin hekurudhor në Frankfurt nuk do të mbetet pa pasoja për Gjermaninë.

Debatet do të ashpërsohen, ndaj është shumë me rëndësi që të publikohet e vërteta e plotë.

Nga Ines Pohl

Një krim i tmerrshëm e ka tronditur Gjermaninë - në stacionin hekurudhor në Frankfurt është shtyrë nëna me një fëmijë 8-vjeçar para trenit që po vinte me shpejtësi.

Fëmija vdiq në vend, ndërsa nëna ka shpëtuar.

Aktori i vrasjes u përpoq të ikë, por është ndalur nga dëshmitarët okularë dhe është arrestuar nga policia.

Pak orë më vonë një zëdhënëse e policisë bëri tw ditur se vrasësi i dyshuar 40-vjeçar, nuk ka asnjë lidhje personale me viktimat.

Ai është me origjinë nga Eritrea.

Gazetarët e pavarur e kanë për detyrë të raportojnë se çfarë ka ndodhur.

Por kjo nuk është aq e thjeshtë, sepse informacionet që përhapen në media, ose edhe ato që nuk përhapen, gjithmonë shkaktojnë edhe debate në shoqëri.

Ndaj mediat gjermane janë të detyruara të ruajnë të ashtuquajturin ‘Kodin gazetaresk’.

Interesimi i madh

Ndër të tjera me këtë Kod është rregulluar se kur duhet të raportohet për krimet edhe lidhur me prejardhjen e një personi: atëherë kur ‘ka lidhje me veprën apo ekziston interesimi i duhur i opinionit.’

Përveç kësaj, publikimi i përkatësisë etnike, fetare apo ndonjë minoriteti tjetër i të dyshuarit, nuk duhet të çojë deri tek diskriminimi i përgjithshëm i një grupi, për shkak të vepre penale të një individi.

Çfarë roli luan pra fakti që i dyshuari vjen nga Eritrea?

Dhe a duhet të raportojë për këtë edhe Deutsche Welle?

Prej verës së vitit 2015, kur kancelarja Angela Merkel vendosi të mos mbyllë kufijtë, por të lejojë hyrjen në vend të njerëzve të ikur kryesisht nga Siria, Gjermania ka ndryshuar.

Më konkretisht për faktin se në Gjermani kanë ardhur më shumë se një milion refugjatë, të cilët duhet të trajtohen, të përkujdesen dhe të integrohen. Por kjo nuk është e lehtë.

Ka dhe gjermanë të cilët janë thellë të shqetësuar, kanë frikë dhe çdo sulm, çdo krim apo tejkalim të linjave ligjore nga refugjatët, e përdorin si dëshmi se vendi i tyre po kërcënohet nga ‘të huajt’.

Ka dhe të tjerë të cilët duan të qetësojnë dhe kërkojnë një trajtim më të mirë të njerëzve të traumatizuar, gjetjen e rrugëve për funksionimin më të mirë së bashku. Përkundër dallimeve kulturore dhe ngjarjeve traumatike.

Dhe në fund, ekzistojnë aktorët politikë, të cilët duan të përfitojnë nga ngjarje të këtilla dhe nuk lënë pa shfrytëzuar asnjë shans për të propaganduar politikën e tyre të përkufizimeve.

Kur duhet të raportojnë mediat gjermane për prejardhjen e aktorit të ndonjë krimi?

Kur ekziston pra ‘interesimi i duhur’ i opinionit?

Gjermania po lufton me veten   

Gjermania po lufton me vetveten. Po lufton se si të përballet me pasigurinë dhe vetëkuptueshmërinë, me të cilën e obligon mirëqenia në vend. Por edhe me përcaktimin e linjave të qarta të kufirit të shoqërisë, ndaj fenomeneve, si për shembull trajtimi i barabartë i gjinive dhe ruajtja e kësaj barazie për të cilën është luftuar me dekada.

Edhe për këtë duhet të raportojmë, të dëgjojmë zërat e ndryshëm, të përpiqemi të shpjegojmë motivet e sjelljeve, të trajtojmë frikën e njerëzve dhe shpërdorimet e fenomeneve nga partitë politike për qëllime të tyre.

Vdekja e një tetëvjeçari do ta ashpërsojë debatin në Gjermani. Disa media do të hedhin zjarr mbi shfaqjet raciste, sepse kjo sjell vëmendje dhe klikime. Por kjo nuk ka të bëjë fare me interesin e përgjithshëm të opinionit, i cili parashikohet me Kodin gazetaresk.

E megjithatë, gjërat mund të shtjellohen si duhet vetëm kur dihet se vrasësi vjen nga Eritrea, ndaj origjina e tij i takon së vërtetës së plotë, e cila na obligon.

Por tek kjo e vërtetë bën pjesë domosdoshmërisht edhe pikëllimi për tetëvjeçarin, bashkëvuajtja me prindërit dhe familjen, sepse kjo ngjarje ka prekur thellë në zemrat tona. /DW

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco