OKB: Vrasjet e civilëve afganë “alarmante”

OKB: Vrasjet e civilëve afganë “alarmante”

14:37, 30/07/2019
A+ Aa A-

 

Një total prej 1,366 civilësh janë vrarë dhe 2,446 janë plagousur në konfliktin në Afganistan, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, bënë të ditur Kombet e Bashkuara.

Shifrat e fundit të Misionit të Ndihmës të OKB-së në Afganistan, të publikuara të martën, tregojnë për rënie të numrit të viktimave për 27%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kombet e Bashkuara thanë se e mirëpresin këtë rënie, porse vazhdojnë “ta konsiderojnë nivelin e dëmit që u bëhet civilëve si tronditës dhe të papranueshëm”.

Bilanci i përgjakshëm në Afganistan vazhdon, me gjithë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje me militantët talibanë, që do t’i jepte fund luftës gati 18-vjeçare.

Talibanët kontrollojnë gati gjysmën e Afganistanit, që do të thotë më së shumti territor, prejse Shtetet e Bashkuara e kanë pushtuar këtë vend në vitin 2001, duke i rrëzuar militantët nga pushteti.

Misioni i Kombeve të Bashkuara tha se luftimet në tokë shkaktuan numrin më të madh të viktimave në gjashtë muajt e parë të 2019-ës, ndërsa pas tyre edhe përdorimi i pajisjeve të improvizuara shpërthyese dhe sulmet ajrore.

Talibanët, Shteti Islamik dhe grupet e tjera që luftojnë kundër forcave të Qeverisë afgane shkaktuan 52% të viktimave, thuhet në raport.

Në mesin e 985 viktimave civile, që pësuan nga talibanët, ka zyrtarë qeveritarë, pleq fisnorë, punonjës të ndihmës e të tjerë.

Forcat pro-qeveritare, ndërkaq, vranë 717 njerëz dhe plagosën 680 - që do të thotë rritje për 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Misioni i OKB-së tha se gratë vazhdojnë të preken "në mënyrë joproporcionale" nga lufta, e cila shkaktoi vdekjen e 144 grave dhe plagosjen e 286 të tjerave.

Viktimat fëmijë përbëjnë gati një të tretën e viktimave të përgjithshme civile - me 327 vdekje dhe 880 të plagosur - thuhet në raport.

I dërguari amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, pritet të kthehet në Katar gjatë javës së ardhshme, për rrethin e tetë të bisedimeve të drejtpërdrejta me negociatorët talibanë.

Shtetet e Bashkuara po synojnë të arrijnë një pakt të paqes deri më 1 shtator, përpara zgjedhjeve presidenciale në Afganistan që janë caktuar për në fund të atij muaji.

Me planin potencial, forcat e huaja do ta linin Afganistanin në këmbim të garancive të sigurisë.

Edhe Uashingtoni, edhe talibanët kanë thënë se po përparojnë drejt arritjes së një marrëveshje për paqe, por grupi militant deri më tani nuk ka pranuar të takohet drejtpërdrejt me Qeverinë afgane, duke thënë se ajo është e paligjshme dhe “një kukull e shteteve të huaja”./Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco